E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top Story dilemat e presidentit te ardhshem

Në 24 maj, mori udhë zyrtarisht procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe seanca e parë e votimit për të, do të mbahet të mërkurën në orën dhjetë.

Megjithëse, maxhoranca ka tentuar të mbyllë debatin, në fakt nuk po ndodh kështu. Është afrimi Meta-Rama ai që ka ngjallur shumë dyshime në Kuvend, ku të enjten u fut jashtë radhe edhe ligji i akcizës për të testuar ku është maxhoranca me nivelin e votave.

Dhe përgjigja ishte alarmanete për qeverinë, pasi ligji kaloi me 68 vota, plus ajo e kryeministrit 69, por pa votat e LSI-së dhe pa shumicën në Parlament. A i ka kjo maxhorancë votat për të kaluar e vetme presidentin siç e parashikon kushtetuta?

Për këtë dhe për të debatuar për momentin aktual politik e strategjitë që mund të ndjekin në këtë muaj vendimtar për të ardhmen e vendit aktorët kryesorë politikë në vend, në emisionin e përjavshëm politik të Sokol Ballës, “Top Story”, u takuan në studio politikanë dhe analistë.

Dy deputetët e Partisë Socialiste, Arben Malaj dhe Olta Xhaçka, u vendosën përballë kolegut të tyre demokrat, Enkelejd Alibeaj dhe deputetit Dritan Priftit, tashmë një deputet i pavarur. Për të komentuar situatën me një ftohtësi dhe distancë nga përditshmëria politike, debatuan përkrah deputetëve edhe analistët Alfred Peza dhe Artan Hoxha.

Prifti: Maxhoranca ka rënë që tani

I pari që bëri analizën e tij ishte Dritan Prifti, i cili i sheh të panevojshme analizat për numrat, pasi sipas tij, maxhoranca është e rënë. “Domosdoshmërisht, zgjedhja e presidentit është një mocion për qeverinë, ndonëse jo drejtëpërdrejtë. Por, nëse qeveria dhe mazhoranca nuk sigurojnë 71 vota në raundin e katërt, do të thotë që ka rënë dhe nuk e ka fituar votëbesimin”, vlerësoi Prifti.

”Në analizën që i bëj situatës mendoj se kjo maxhorancë ka rënë, pavarësisht a ka rënë sot, pas një jave a tre javësh. Mendoj se kjo i ka humbur disa vota të veta në mënyrë të pakthyeshme. Përsa i përket votave të LSI, mendoj se është çështje ditësh, mbase javësh, që nuk do të jenë më vota të rreshtuara në mënyrë të verbër apo të rreshtuara sidoqoftë përkrah Berishës. Besoj se për punë ditësh do të tregohet që maxhoranca nuk e ka më shumicën. Nëse do të shkojë situata deri në raundin e katërt, është një votëbesim për maxhorancën e qeverisë dhe unë nuk e besoj se ajo do t’i ketë 71 vota. Por, çdo gjë mund të ndodhë, edhe pse prej një muaji dihet se do të ketë zhvillime”.

Alibeaj: Qeveria nuk do të rrëzohet, ky është momenti për transparencë dhe ndershmëri politike

Natyrshëm, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj e kundërshtoi këtë vlerësim të Priftit, duke vlerësuar se çështja e presidentit është një çështje me rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e vendit dhe si rrjedhojë, nuk duhet të banalizohet në një vlerësim të thjeshtë numrash. “Kartat e maxhorancës janë në rregull. Kemi besim se si sot, si pas një muaji do të kemi një president dhe që nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Këtë e themi me siguri që të qetësojmë shpirtërat e kujtdo që mendon se mund të ketë turbullira tektonike në politikë”.

”A do të jetë një test politik, një vorbull që do të prodhojë maxhoranca të reja?. Unë mendoj se kjo nuk është një lojë numrash, një lojë e thjeshtë birilash, pasi cilidoqoftë lojtari politik në Parlament, si i madh si kryemninistri apo edhe deputet e paangazhuar, kam idenë që bëjnë llogarinë sot, pas një muaji dhe pas një viti. Duke bërë këto llogari, modelojnë sjelljen e tyre politike. Në këtë optikë, maxhoranca sot, i ka 73 votat e vota, do të dalë me një kandidat të PD-së për president të Republikës në procesin që nis sot. Pa dyshim, maxhoranca do të tentojë që në raundin e parë një president konsensual. Mund të jetë 84-85 vota apo 140, pak rëndësi ka. Maxhoranca, është e vendosur që në këtyë mekanikë parlamentare të ketë pikë të fortë atë që është spektri i moralitetit politik. Prandaj ajo s’do të hyjë në histori trafikimesh deputetësh apo bisedimesh jotransparente. Vetë kryeministri Berisha ka thënë që negociatat do të jenë transparente, si sot mbledhja e kryesisë PD”.

Malaj dhe Xhaçka: Çdo opsion i hapur, e rëndësishme të shmangim kriza politike

Një ish-Ministër i Financave dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Malaj, e vlerësoi si thelbësore për vendin që të shmanget një krizë e re politike në këtë moment, sipas tij delikat për shkak të mosqeverisjes së mirë. “E vërteta është se situata është mbinharkuar. Ne shqiptarët jemi mësuar që shpesh të shkojmë deri në afatin e fundit të lejuar. Unë mendoj se maxhoranca nuk ka të njëjtën siguri që shpreh kolegu, por do të kemi një proces që kemi në dorë t’i qetësojë zhvillimet politike apo do t’i tensionojë? Maxhoranca nuk ka elementë avantazhi në këtë proces. Në rast të një zgjedhje të njëanshme konsiderohet shans i humbur që krijon kosto të reja në procesin e integrimit. Të mos harrojmë që me gjithë mirëkuptimin e opozitës, ishte kjo maxhorancë në prill 2009 që dërgoi aplikimin për t’u bërë vend anëtar. 42 muaj dhe kemi ngelur në provimet e vazhdueshme. Vendi është i prekur nga kriza globale dhe keqqeverisja. Çdo kosto shtesë mbi zhvillimet ekonomike e sociale që vijnë nga ngërçet politike do të rëndojnë mbi gjithë shqiptarët”.

Sipas Malajt, vendimtare do të jetë sjellja e LSI-së, e cila për momentin është e pamundur të parashikohet. “LSI ka realizuar disa deklarata me mesazh të caktuar për maxhorancën dhe opozitën, teksa ka thënë që nuk voton president me 71, njëkohësisht ka thënë edhe që nuk do zgjedhje të parakohshme. Mesazhi i kësaj force është ende konfliktuar dhe i paqartë, prandaj formon një element dyshimi”.

Pasi Hoxha bëri një analizë të shkurtër, mbi konceptin se maxhoranca vazhdon t’i ruajë 71 deputetë në Kuvend, deputetja tjetër e PS në studio, Olta Xhaçka, vlerësoi: “Bashkimi Europian kërkon një president konsensual, që është i njëjti me opinionin publik. Për të zgjedhur një figurë që nuk vjen nga radhët e njërës apo tjetrës parti, por figurë që sipas frymës së kushtetuës është figurë e unitetit, që reflekton vlera tolerance e gjithpërfshirëse, paanshmëri, integritet dhe duke qenë se është një figurë kaq e rëndësishme, kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë konsensuale. Duhet një figurë konsensuale, me dakordësi, për të mishëruar atë që duhet të jetë president i vendit. Pa dyshim, kjo është kërkesa që na vjen nga ana e partnerëve ndërkombëtare, por edhe nga presioni i opinionit publik”.

Peza: Zgjedhjet e parakohshme nuk i do askush, Nano gaboi rëndë duke u vetshpallur kandidat

”Jemi në kulmin e intrigës. E rëndësishme është që Shqipëria të ketë stabilitet, një president. Për herë të parë, lojtarët kryesorë po bëjnë një lojë të pastër politike, çka tregon pjekuri të duhur dhe të gjithë janë në limitet e një loje pa gabime, në kushtet ku ndodhen. E qartë është se i vetmi që ka gabuar është Fatos Nano, por një gjë është e sigurt, që do të zgjidhet presidenti i gjashtë dhe asnjë s’ka bërë dy mandate siç e lejon kushtetuta. Gjykoj se ajo çfarë e bën interesante këtë lojë dhe e mban në këmbë intrigën është loja e LSI, që bën një lojë për president tani apo  me vision nga 2013 e tutje. Nesër, në takimin Meta-Berisha, Meta do pyesë kryeministrin natyrshëm se çfarë i ofron. Nëse i besojmë deklaratave, që s’do të kemi president me 71 vota, mbetet e qartë se edhe LSI s’do jetë më në qeveri nëse nuk voton. Si do jëte skema, a do të ketë zgjedhje të parakoshme? Kjo nuk dihet, por PD ka ende një sigurisë në dorë, reformën elektorale dhe në këto kushte, me këtë KQZ, vetë socialistëve nuk do t’u interesonte zgjedhja e parakohshme. Prandaj, ekuacioni ka shumë të panjohura për t’u zgjedhur”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›