E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top tenisi me drogë në paraburgimin e Durrësit

01/07/2009  Gjendet në “brezin e butë”, e cila nuk lejohet të shkelet nga të dënuarit. Nën hetim punonjësit

DURRES- Efektivat e policisë të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në paraburgimin e Durrësit ka zbuluar një sasi droge brenda mjediseve të vuajtjes së dënimit. Lajmi është konfirmuar nga burimet zyrtare që kanë theksuar se në orët e mesditës është vërejtur një top tenisi në zonën e quajtur “brezi i butë”. Kjo zonë në mjediset e brendshme të institucionit është vija e kuqe, e cila nuk lejohet të shkelet nga asnjë i dënuar ndryshe ai prangoset për tentativë arratisjeje nga vendi i vuajtjes së dënimit. Topi ka qenë në formën e një lëmshi të rrumbullakët, i lidhur me izolator elektrik ngjyrë kafeje.

Droga

Specialistët e Antidrogës kanë zbuluar në fillim dhe kanë vërejtur se topi i tenisit ishte një qese farmaceutike transparente me dy shirita të bardhë dhe brenda kishte masiv të gjelbër. Kjo sasi materiali ishte masiv bimor, sipas ekspertëve, me ngjyrë jeshile dhe kërcej e gjethe. Pasi lëmshi është bërë objekt i analizës në laborator është vërtetuar se bëhet fjalë për bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Kjo është e dyta herë që në të tilla mjedise gjendet drogë. Një muaj më parë në pjesën e tarracës që shërben për prapavijën e paraburgimit të Durrësit, institucion që është përuruar në mesin e muajit maj nga krerë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe ata të Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve. Droga mendohet se është “fluturuar me ndihmën e një litari hedhës nga skaji i rrugës për në mjediset e brendshme. Paralelisht me ekspertë të Antidrogës, institucioni i paraburgimi është bërë edhe objekt hetimi për të zbuluar lidhjen që ka mes elementëve kriminalë që vuajnë dënimin me persona që trafikojnë drogë. Aktualisht askush nuk është vënë nën akuzë, por nga ana tjetër burimet thonë se janë të njohur të dënuarit që marrin drogë si dhe janë nën dyshime të forta disa punonjës policie. Dy javë më parë policia ka sekuestruar sasinë e parë të drogës, e cila është tentuar nga persona të mbetur anonim të futet në mjediset e paraburgimit. Ka dështuar përpjekja e një shpërndarësi droge në mjediset e vuajtjes së dënimit për të dërguar në destinacion një porcion droge. Efektivi blu i shërbimit në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Durrës, ka zbuluar se në tarracën e një objekti kishte një qese të dyshimtë, qese e zbuluar gjatë patrullimit të policit në tarracën e ofiçinës së kësaj qendre.

Precedenti

Dy javë më parë u tentua futja e drogës

Rreth 2 javë më parë në institucionin e paraburgimit u tentua futja e një sasie droge, e cila u gjet në tarracën e ofiçinës së këtij institucioni. Burime zyrtare thanë se sasia e drogës ishte e paketuar në një qese farmaceutike. Nga hetimet paraprake agjentët e Antidrogës mendojnë se llojin e lëndës së ndaluar është cannabis sativa. Qesja ishte vetëm 3 m larg nga rrethimi dhe kjo mjafton për të pohuar se personat që e kanë futur në tarracën e ofiçinës kanë mundur të depërtojnë deri tek ai vend në saj të bashkëpunimit me një punonjës të institucionit. Nuk është bërë e qartë nëse ndonjë nga punonjësit me uniformë policie, apo mjek e infermierë janë vënë nën dyshime, ndërsa grupi hetimor ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale është përuruar vetëm disa ditë më parë dhe në të shërbejnë rreth 220 punonjës në administratë dhe se pjesa më e madhe janë efektiva të policisë, ndërsa pjesa tjetër mjekë, infermierë, psikolog, farmacist, llogaritarë, financierë, juristë etj. Në paraburgimin e Durrësit që administrohet nga Ministria e Drejtësisë ka 102 shtetas që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale. Në mesin e tyre ka edhe të dënuar me burgim të përjetshëm si dhe të tjerë me 20 apo 25 vjet burg. Institucioni ruhet nën masa të plota e të forta sigurie ditën e natën, ndërsa çdo centimetër e mjedisit të brendshëm e të jashtëm është nën përgjim të pandërprerë. Kjo e bën të pamundur çdo lloj përpjekje për të futur nga jashtë sende të ndryshme, ndërsa ekipi i uniformave blu që kryen shërbim në këtë institucion është i përzgjedhur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›