E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Becirovicit: Vendet e rajonit bashkë përballë krizës

TIRANË- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka pritur sot në një takim homologun nga Bosnje-Hercegovina, Denis Becirovic, me të cilin ka biseduar për cështje të ndryshme në thelb të të cilave ishte rritja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në të gjitha fushat.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Topalli u shpreh se vendet e rajonit duhet t’i përgjigjen me bashkëpunim krizës ekonomike botërore.

“Në kohë krize që po përjeton bota, vendet tona të rajonit duhet t’i përgjigjen me më shumë bashkëpunim në të gjitha fushat. Duke shkuar në BE me zë të përbashkët si rajon mund të përfitojmë projekte të rëndësishme, qofshin këto në energji apo në telekomunikacion”, tha Topalli.

Nga ana e tij kryetari i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës u shpreh se ka diskutuar me homologen e tij, “për rrugët që do cojnë vendet tona drejt integrimit”.

Ai foli më tej për rritjen e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, tregtia, arsimi, por edhe turizmi. Becirovic tha se “Turizmi është një urë lidhëse mes vendeve tona", ndërsa shtoi se "do promovojmë turizmin në Shqipëri”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›