“Të shmangen deklaratat me tendencë politizimin e KQZ-së”

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i bën thirrje partive politike të vetëpërmbahen dhe të lejojnë KQZ-në të ushtrojë detyrën e saj në mënyrë të pavarur, për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit
Eugen Wollfarth, ambasador i OSBE-së në Tiranë, ka deklaruar dje se përfaqësuesit e partive politike duhet të shmangin deklaratat me sulme politike, ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë një takimi me Grupin Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet e organizuar nga OSBE, ku merrnin pjesë kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba, Wollfarth tha se është tejet e rëndësishme që të ketë atmosferë bashkëpunuese në KQZ, mes të gjithë anëtarëve të saj.
Sipas tij, zgjedhjet duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik. “Është tejet e rëndësishme që të ketë një atmosferë bashkëpunuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve. Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundër-frytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”, u shpreh Wollfarth.
Ndërkaq, kryetarja dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin ftuar në këtë takim, për të ofruar një pasqyrë të veprimtarive më të fundit të organit të administrimit të zgjedhjeve. Pjesëmarrësit i shprehën KQZ-së mbështetje të vijueshme për zbatimin e paanshëm të kornizës zgjedhore.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.