Qeveria tërhiqet nga taksa 20 për qind mbi biznesin e vogël
Janë mbi 1 mijë biznese që kanë mbyllur aktivitetin vetëm në Tiranë, për shkak të kalimit në skemën e TVSH-së. Sipas sipërmarrësve të këtyre ndërmarrjeve, ata nuk munden që të paguajnë tatimet
Pas idesë për të tatuar fitimin neto të biznesit të vogël si të ardhur personale, qeveria është tërhequr, duke e vlerësuar këtë ligj si një gabim i bërë nga ana e specialistëve të financave. Propozimi për taksën dyfish ka kaluar sakaq në komisionin kuvendor të ekonomisë dhe pritej të votohej ne Kuvend në seancën e ardhshme. Në ndryshimet e reja në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, qeveria detyron bizneset, personat fizikë, subjektet e tatimit mbi fitimin, që nëse nuk e riinvestojnë fitimin, por e mbajnë atë si të ardhur personale, të paguajnë sërish taksë në masën 10 për qind. Por ky nen, sipas Ministrisë së Financave, do të tërhiqet dhe forma e taksimit të biznesit person fizik nuk do të ndryshojë. Sipas tyre, biznesi do të vazhdojë sërish të paguajë vetëm 10 për qind të fitimit si tatim, pa taksa të reja shtese.
***
Ligji mbi të ardhurat personale taton çdo të ardhur të individëve, ku përfshihen kryesisht pagat, të ardhurat nga dividendët, interesat bankare apo edhe të ardhurat nga aktivitet, që futen te personat fizikë. Tatimi mbi të ardhurat personale është 10 për qind dhe u kalua në një nivel me tatimin mbi fitimin në kuadrin e Taksës së Sheshtë. Konkretisht, nëse një biznes ka realizuar 1 milion lekë fitim për vitin 2009, taksa që ai paguan me ligjin aktual është 100 mijë lekë. Pas taksës, fitimi neto i këtij biznesi mbetet 900 mijë lekë. Sipas variantit të parë, që financat çuan në komisionin e ekonomisë, do të duhej të paguhej sërish një tatim 10 për qind.
***
Por një nga shtesat e reja që bizneset e vegjël janë të detyruar që të paguajnë është edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Të paktën 15 mijë biznese pritet që të shndërrohen në subjekte të pagimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar, pas vendimit të qeverisë për ndryshimin e xhiros vjetore. Sipas të dhënave të fundit, janë mbi 1 mijë biznese që kanë mbyllur aktivitetin vetëm në Tiranë, për shkak të kalimit në skemën e TVSH-së. Sipas sipërmarrësve të këtyre ndërmarrjeve, ata nuk mundet që të paguajnë tatimet, që në rast të kalimit në skemën e TVSH-së dyfishohen. Në zyrat e tatimorëve ka mbërritur tashmë ligji taksativ i uljes së pragut për bizneset nga 8 milionë në 5 milionë. Bëhet fjalë për propozimin e tatimeve, që do të ulë pragun e xhirove nga 8 milionë deri në 4 milionë lekë. Në projektvendimin në fjalë, në nenin 30 fiksohet ndryshimi i TVSH-së, i cili fiksohet në masën 20 për qind për të gjithë aktivitet e bizneset, që bëjnë xhiro vjetore deri në 5 milionë, të klasifikohen si biznese të mëdhenj, duke e shtuar kategorinë e bizneseve VIP-a. Sipas Ministrisë së Financave, por edhe një pjese të madhe të biznesit të madh në vend, zgjerimi i spektrit të aplikimit të TVSH-së edhe mbi bizneset e vegjël vjen në kuadër të luftës ndaj evazionit fiskal. Tatimet bëjnë të ditur se barra e aplikimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar bie mbi konsumatorin, ndërkohë që bizneset do të përballen vetëm me kosto administrative. Edhe në logjikën e taksimit vlerësohet se në këtë rast pjesa që do të tatohet është vetëm ajo që i përket vlerës së shtuar në këtë hallkë të tregtimit.