Gërdeci bashkoi shqiptarët e thjeshtë
Tragjedia e Gërdecit na shërbeu për diçka! Na shërbeu për t’u bashkuar rreth njëri-tjetrit nga Mitrovica në Athinë, nga Shkupi në Tivar, nga Ohri në Sarandë. Në mbarë Kosovën shqiptarët u vunë në radhë para spitaleve për të dhënë gjak, dhe u tërhoqën nëpër shtëpi, para televizorëve, vetëm kur mjekët u thanë se nuk u lipsen më dhurues...
Në Tiranë dhe në Durrës, bash rioshët indiferentë apolitikë, që ndofta nuk denjojnë të japin gjak as për kushërinjtë e afërt, nëse shtrohen në spital dhe kanë nevojë për të, pardje shkuan vullnetarisht nga klubet dhe baret nëpër klinika, për të dhuruar gjakun e trupit.
Policë, ushtarë, trupa komando, trupa speciale të Renea-s, oficerë policie dhe ushtrie, mjekë dhe infermierë, qytetarë që vinin rastësisht drejt kryeqytetit nëpër autostradën Durrës-Tiranë, apo të tjerë që niseshin enkas nga Tirana drejt Vorës dhe Gërdecit për të marrë viktimat e gjakosura dhe më pas i dërgonin në oborret e spitaleve dhe i mbanin në krahë si t’i kishin fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, djersinin dhe sakrifikonin për të shpëtuar jetë njerëzore.
Paskëtaj, nga turpi, politikanët tanë bënë adetin: thirrën kamerat me urgjencë dhe u turrën drejt spitaleve për të dhuruar gjak…, dhe pasi shihnin se kameramanët nuk i kapnin në plan ballor, (ngaqë nuk i linin të afroheshin) dhe pasi shihnin se barku i pengonte që t’u dilte bazyreti nëpër inserte kronikash, ngriheshin nejun dhe pasi pozonin me pamje të përvuajtur për disa çaste, shtriheshin si të kositur, nën dhimbjen e tmerrshme shpuese të ageve dhe kanjyleve intravenoze. Por tashmë të bindur dhe të sigurt se do të dilnin në televizione duke sakrifikuar gjakun e shtrenjtë të trupit që mban kokat dhe mendjet e kombit.
Ndërkohë njerëzit e thjeshtë përloteshin nëpër shtëpi para ekraneve, ngashërenin kokulur në radhët para dhomave ku jepej gjak, ngushëllonin njër-tjetrin, kërkonin të afërmit dhe fëmijët e atyre që shkulnin flokët.
Mjekët, infermierët, policët dhe ushtarakët, në Tiranë, Durrës, Vorë e Gërdec, djersinin dhe mezi merrnin frymë nga ritmet e çmendura të punës nëpër pavione e salla operatore, apo nën avujt e nxehtë dhe mbytës të shpërthimit dhe barutit.
Shqiptarët e thjeshtë kuptuan se jeta e tyre është e rrezikuar nga çasti në çast dhe se jetojnë thjesht prej rastësie. Por kuptuan edhe se, kur vdesin, kjo u ndodh po prej trilleve të fatit të mbrapshtë, të cilit askush nuk i thotë më parë, “ndal”.
Ata sërish kuptuan se kanë vetëm njëri-tjetrin, dhe askënd tjetër.
Kuptuan se duhet ta shtrëngojnë fort njëri-tjetrin, për të mbijetuar, për ta bërë këtë për hatër të fëmijëve vocërrakë, por edhe ngaqë jeta ia vlen të jetohet edhe në varfëri dhe me rrezik eksplozionesh nën këmbë, pasi ajo u jepet vetëm njëherë…
Solidariteti i tyre fillimisht zu fill dhe u kulmua qysh me luftën e Kosovës, kur turreshin drejt pallateve të Sportit për të marrë vëllezërit dhe motrat nëpër shtëpitë e varfra e me magje bosh.
Vijoi kur ngazëllyen me shpirt dhe lot, ngaqë vëllezërit fituan pavarësinë.
U trandën dhe u bashkuan në zinë e para një jave, teksa ujërat e ftohtë të rezervuarit të Farkës përpinë dy vogëlushët engjëj që nuk dinin as përse prindërit i hipën në varkë, as përse gëzohej aty teksa loznin bashkë duke u fshehur pas karrigeve ku ishin ulur të mëdhenjtë, as përse i hipën sërish në varkë…, dhe as përse ranë në ujin që i përpiu.
Ndaj solidariteti mbarëshqiptar kulmoi sërish me rastin e Gërdecit.
Shqiptarët tashmë janë të bindur se përveç atdheut kanë vetëm bashkatdhetarët e thjeshtë, kudo që ndodhen, në trojet amtare apo diasporë.
Natyrisht që kanë edhe organizatat humanitare mbarëbotërore, që në shumicë përfaqësohen nga ata që besojnë në Perëndinë…
Dhe paskëtaj kuptojnë se ia vlen të jetohet, sepse më keq se kaq nuk mund të vuajnë…, pasi ky është kulmi i vuajtjeve dhe fatkeqësive. Kuptojnë se nuk mund të ketë më keq se kaq…, sidomos tani kur punët e bijve të Shqipes kanë marrë për mbarë. Nga Astrit Kola