Obama: Wall Street të paguajë për paratë e taksapaguesve
Propozimi do të shkojë shumë shpejt në Kongres
Presidenti amerikan, Obama, ka propozuar dje pagesën e 117 miliardë dollarëve nga ana e Wall Street, për të ripaguar kështu taksapaguesit në lidhje me ndihmën që u dha bankave nga paratë e tyre në vitin 2008. Viti 2008, kur edhe kriza financiare ishte në kulmin e saj, mund të kishte rrënuar shumë banka dhe institucione financiare në Shtetet e Bashkuara, por edhe në botë, nëse nuk do të ishin aplikuar ndaj tyre paketat e ndihmës financiare nga paratë e taksapaguesve. Ndërkaq, Obama i ka akuzuar bankat dhe bankierët për përfitimet e tyre të stërmëdha dhe të majme të bonuseve. “Angazhimi im është që t’u kthej qytetarëve amerikanë çdo qindarkë që hodhën një vit më parë në bankat në prag të rrënimit” , ka deklaruar ai. “Dhe vendosmëria ime për të arritur këtë qëllim bëhet edhe më e madhe kur dëgjoj lajme për përfitimet e stërmëdha dhe të padrejta të bankierëve përmes bonuseve të fryra, në një kohë kur firmat e tyre vazhdojnë që të ekzistojnë vetëm falë parave të popullit amerikan”, ka vazhduar ai.
Duke pasur si qëllim distancimin e vetes nga Wall Street, ndërsa njerëzit sa vjen e po protestojnë gjithnjë e më shumë për përfitimet e padrejta të bankierëve nga paratë e tyre, Obama ka akuzuar bankierët për një shkëputje tërësore nga vështirësitë e jetës së përditshme të amerikanëve të thjeshtë, të cilët po përballen me një shkallë shumë të lartë papunësie. Në lidhje me planin e tij, Obama pritet që të bëjë një deklaratë televizive. Kjo pagesë ka si synim kompensimin e paketës prej 700 miliardë dollarësh që qeveria amerikane e mori nga paratë e taksapaguesve për të shpëtuar shumë banka dhe institucione financiare që ishin në krizë në fund të vitit 2008 e që mund të kishin falimentuar nëse nuk do t’u ishte dhënë ndihmë.
Kjo paketë u firmos nga paraardhësi i Obamës në kulmin e krizës dhe panikut financiar. Paketa e quajtur TARP ose Programi i Shpëtimit të Aseteve Problematike u konceptua menjëherë pas falimentimit të Lehman Brothers dhe sipas iniciatorëve dhe mbështetësve të saj ajo do të shërbente që të shpëtonte nga falimentimi shumë institucione në prag të rrënimit. Bëhet fjalë për një injektim të kapitalit publik në bankat më të mëdha amerikane. Kjo masë së bashku me stimulin e madh monetar dhe politikat fiskale nga qeveria dhe Rezerva Federale nuk arritën që ta shpëtonin vendin nga kriza më e rëndë financiare e dhjetëra viteve të fundit, e cila aktualisht e ka çuar papunësinë në shkallën 10%. Por pavarësisht se bankat shpëtuan falë parave të taksapaguesve, kjo nuk i ndaloi krerët e tyre që të vazhdonin traditën e dhënies së bonuseve të majme shefave të lartë ekzekutivë dhe punonjësve të tjerë të bankës sikur vendi të mos ndodhej në mesin e një krize. Gjithashtu, bankat patën një vit të mbarë me përfitime të mëdha financiare.
Një pjesë e bankave ua kanë kthyer një pjesë të parave qeverisë, por as ato nuk do të përjashtohen nga pagesa e re e parashikuar nga Obama. Por detajet e plota në lidhje me këtë masë nuk do të publikohen para publikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2011 në fillim të muajit shkurt dhe më pas plani do të shkojë për miratim edhe në Kongres. Gjithsesi, ai parashikon një pagesë prej 0.15% të bilancit të firmave të mëdha me asete mbi 50 milionë dollarë. Administrata e Obamës pritet që të mbledhë rreth 90 miliardë dollarë gjatë 10 viteve. Zemërata e publikut ndaj atyre që Obama i cilësoi në dhjetor si “mace të dhjamosura”, pra bankierët, është rritur ndjeshëm. Shtëpia e Bardhë deklaroi të mërkurën se kërkesa e faljes është gjëja më e pakët që njerëzit presin nga bankierët e pangopur.
#