Topalli-Fini: Zgjedhjet e 28 qershorit, të pakontestueshme
“Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit u zhvilluan në një legjitimitet maksimal dhe jeta politike e vendit duhet të zhvillohet në Kuvend”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të Parlamentarit italian, Gianfranco Fini, dhënë dje në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen shqiptare, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, vizitoi dje Italinë, ku u takua me zyrtarët më të lartë të shtetit fqinj. Topalli u takua dhe bisedoi gjerësisht me kryetarin e Kuvendit italian, Fini, si dhe me Presidentin e vendit Giorgio Napolitano. Gjatë konferencës për shtyp, Fini vlerësoi zhvillimet në Shqipëri si dhe zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai tha se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur të integrimit dhe se Italia do të jetë mbështetëse e Shqipërisë. I pyetur nga media në lidhje me bojkotin parlamentar të opozitës së majtë në Shqipëri, Fini tha se opinioni i gjithë komunitetit ndërkombëtar është se zgjedhjet patën legjitimitet maksimal dhe se opozita duhet të kthehet në Kuvend. “Ritheksoj se nuk është vetëm opinioni i Italisë, por i të gjithë komunitetit ndërkombëtar se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në legjitimitet maksimal dhe rezultati i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të kontestohet dhe për këtë arsye urojmë që sa më shpejt jeta demokratike shqiptare të hyjë në normalitet të plotë sigurisht brenda Parlamentit”, - deklaroi Fini. Kreu i Parlamentit italian tha më tej se përgëzoi Topallin për zgjedhjet demokratike. “I shpreha presidentes Topalli kënaqësinë time personale për rezultatin e zgjedhjeve elektorale në përfundim të një fushate shumë transparente dhe në respekt të plotë të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, zgjedhje nga të cilat u krijua qeveria e re shqiptare dhe që rikonfirmuan zonjën Topalli në krye të Parlamentit. Shpreha bindjen e fortë të qeverisë italiane për domosdoshmërinë që procesi i nisur i Shqipërisë për një anëtarësim të plotë e të shpejtë në Bashkimin Evropian jo vetëm të mos hasë pengesa, por të përmbyllet në një kohë sa më të shkurtër, sepse është në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Evropës”, - tha më tej Fini, tha i cili se mes dy vendeve do të shtohet bashkëpunimi. “Nuk është vetëm interes i Shqipërisë, por edhe i të gjithë Evropës që Tirana sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë të bëhet anëtare me të drejta të plota e familjes evropiane”, - deklaroi në fund Fini.
Nga ana e saj, Topalli tha në konferencën e përbashkët për shtyp se Shqipëria tashmë është një vend ndryshe. “Vendi është anëtar i NATO-s dhe sapo ka nisur shqyrtimi i kandidaturës për vend kandidat”, - tha Topalli duke falënderuar edhe mbështetjen e Italisë. Ajo ftoi biznesin italian të vijë të investojë në Shqipëri. “Ne kemi shumë sipërmarrës italianë dhe unë ftoj të gjithë investitorët italianë të vijnë në Shqipëri. Do të gjejnë një vend që ka taksat më të ulëta, potenciale dhe mundësi të mëdha, një klimë shumë miqësore për biznesin. Jam shumë e kënaqur që marrëdhëniet mes parlamenteve tona janë frekuente dhe shpresoj që presidenti Fini të vijë përsëri në Tiranë në pranverë”, - deklaroi Topalli, e cila mbylli fjalën e saj me urën lidhëse mes dy vendeve, emigrantët dhe mbi 80 mijë studentët shqiptarë që studiojnë në shtetin italian.
Giorgio Napolitano do të vizitojë Shqipërinë
Presidenti italian, Giorgio Napolitano, së shpejti do të vizitojë Shqipërinë. Një fakt të tillë e konfirmoi vetë Presidenti Napoletano gjatë takimit që pati me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u prit në një takim të veçantë nga Presidenti. Në takim, ai vlerësoi progresin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë, duke theksuar mbështetjen e plotë të Italisë, jo vetëm për liberalizimin e vizave që pritet të finalizohet në korrik të vitit të ardhshëm, por edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Kryetarja e Kuvendit, në emër të saj, por edhe të Kuvendit të Shqipërisë, tha se mbështetja e një vendi mik si Italia mbetet shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo e ftoi Presidentin Napolitano që gjatë vizitës së tij në Shqipëri t’u drejtohet deputetëve dhe të gjithë shqiptarëve me një fjalim në Parlament, ftesë që u mirëprit nga Presidenti italian. Presidenti Napolitano tha se Italia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë një përkrahëse e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi të gjitha arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik mes dy vendeve, ndërkohë që Italia zë vendin e parë për investime në Shqipëri.
Casini: Italia mbështet liberalizimin e vizave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj zyrtare në Itali u takua edhe me ish-presidentin e Parlamentit të Italisë, Ferdinando Casini, një figurë e spikatur e Parlamentit, por edhe e politikës italiane, i cili premtoi se Italia do të mbështesë Shqipërinë në liberalizimin e vizave. “Italia, - u shpreh ai, - do të jetë gjithmonë një ndër përkrahëset më të fuqishme të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane, deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, - tha Casini. Duke e cilësuar integrimin evropian një çështje parësore të politikës shqiptare, kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në çdo hap të Shqipërisë për të përshpejtuar rrugën e integrimit. Ajo vlerësoi edhe përkrahjen e shtetit fqinj dhe deputetëve të Parlamentit Evropian për rezolutën e fundit dhe për pranimin e kërkesës së statusit të vendit kandidat, vendime që ishin para së gjithash një vlerësim për progresin e Shqipërisë dhe arritjet në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilësuara si zgjedhje që përmbushën angazhimet kryesore të OSBE-ODIHR-it.