PS-ja e Ramës, anëtare e asociuar në PSE, pa të drejta të plota
Socialistët shqiptarë kanë të drejtë shprehjeje dhe iniciative në PSE, por pa të drejtë vote. Këtë të drejtë do ta kenë vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e familjes evropiane. PSSH-ja e kryesuar nga Edi Rama, në bazë të nenit 11,2 të statutit të PSE-ve, ka të sanksionuar: PS-ja anëtare e asociuar në PSE, anëtarësimi i saj falë nënshkrimit të MSA-së dhe se vendet nënshkruese të MSA-së, anëtarësim automatikisht. Në këtë mënyrë, opozita shqiptare ka një shtysë të fortë për të kontribuar bashkë me opozitën në procesin e integrimit në BE, duke i dhënë vetes mundësinë që njëhershëm me këtë të fitojë dhe të drejtat e plota në PSE. Kjo, për faktin pasi anëtarët e asociuar kanë të drejtë të marrin pjesë në takime në të cilat ata janë të ftuar me të drejtën e shprehjes dhe të drejtën e iniciativës, por pa të drejtë për të votuar. Konkretisht, neni 11.2 i statutit të PSE thotë: Si në PPE (bashkimi i partive të djathta evropiane) ashtu edhe në PSE, (bashkimi i partive të majta evropiane), vendet anëtare në Bashkimin Evropian kanë të drejtë vote. Në statut specifikohet: Kur Shqipëria të hyjë në BE, PS-ja do bëhet anëtare me të drejtë vote në PSE. Nga ana e saj PD-ja e sheh qartësisht asocimin e PS-së në PSE falë nënshkrimit të MSA-së. “Partia Demokratike shpreh vlerësimin e saj për marrjen zyrtarisht të “Statusit të Anëtarit të Asociuar” në Partinë Socialiste Evropiane, nga Partia Socialiste e Shqipërisë”. Në këtë mënyrë PD-ja përshëndeti dje përmes sekretarit për organizatat partnere, Gent Strazimiri, asocimin e PSSH-së në PSE. Ai vuri në dukje se PD-ja e vlerëson këtë si një zhvillim pozitiv, i cili vjen automatikisht si rezultat i faktit që Shqipëria ka firmosur dhe ratifikuar nga të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, çka përbën një kusht “sine qua non” për një parti, për të marrë statusin e anëtarit të asociuar. “Me këtë rast, do të ishte e udhës që zoti Rama të kërkojë ndjesë publike për bilbilat dhe boritë që përdori për të bllokuar firmosjen e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian dhe ç’është më e rëndësishmja, të kuptojë se statusi i ri është i denjë vetëm për parti që respektojnë rregullat themelore të demokracisë”, - tha Strazimiri. I pyetur nga gazetarët e pranishëm për të komentuar faktin që Rama thotë se Partia Socialiste është “anëtare me të drejtë vote” në PSE, Strazimiri u përgjigj: “Uroj që të mos jetë si puna e rezolutës, për të cilën Rama mashtroi shqiptarët sikur u miratua duke detyruar PSE-në ta përgënjeshtrojë si mashtrim të Ramës”.