Maqedonia rikthen nga hiçi njeriun e enciklopedisë skandaloze, për t’u bërë karshillëk shqiptarëve
Për një nga anëtarët më eminentë të Akademisë së Maqedonisë, Bllazhe Ristovski, shqiptarët jo vetëm që për katër shekuj me radhë kanë kryer spastrim etnik në territorin e Maqedonisë, por edhe tani vazhdojnë të festojnë në formë tendencioze pavarësinë e shtetit të tyre. Tezat antishqiptare të ish-kryeredaktorit të Enciklopedisë Maqedonase kanë çelur tubimin shkencor “100 vjet nga luftërat ballkanike
Qëndrimi antishqiptar i akademikëve maqedonas ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar në veçanti është artikuluar përmes fjalës hyrëse të një prej figurave të saj më të rëndësishme, akademik Bllazhe Ristovski, në tubimin shkencor që po organizohet për dy ditë rresht nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (AMSHA) “100 vjet nga luftërat ballkanike”. Duke shprehur keqardhjen që 100 vjetorin e shkëputjes nga Turqia që shumë prej fqinjëve e shënuan në forma të ndryshme dhe përpara Maqedonisë, ish kryeredaktori i Enciklopedisë Maqedonase, Ristovski, nuk i ka shpëtuar tundimit për të komentuar festimin që Shqipëria e shtriu jashtë kufijve të saj, por edhe të shtrojë tezat antishqiptare. “Dikush festoi lirinë, dikush u ankua që kish përfituar pak nga preja, tjetri që humbi një pjesë të asaj që fitoi atëherë, ndërsa i katërti në formën më euforike e manifestoi kremtimin në territorin e të paktën tre shteteve të pavarura dhe një protektorati me tendencë që ta kuptonin të tjerët. Dhe viktima e këtij 100 vjetori - Maqedonia, e cila në këto rrethana vetëm tre dekada më vonë arriti të krijojë shtetin e saj, e fundit praktikisht po e shënon përvjetorin e saj tragjik”, ka thënë Ristovski. Duke folur në retrospektivë, akademiku ka sjellë në vëmendje rolin negativ të shqiptarëve dhe armiqësinë në shekuj me maqedonasit. “Bandat kaçake të shqiptarëve, si një institucion i organizuar agresiv për katër shekuj me radhë kanë plaçkitur, vjedhur dhe vrarë, kanë kryer spastrim etnik në territorin e Maqedonisë”, ka thënë Ristovski. Sipas kumtesave të të pranishmëve, paqja në Ballkan do të vazhdojë të jetë e brishtë edhe 100 vjet pas përfundimit të luftërave ballkanike, në rast se nuk do të ndryshojnë konceptet për nocionet komb dhe nacionalizëm. Sipas tyre, luftërat ballkanike erdhën si pasojë e rrezikut që mund të vinte nëse kombi maqedonas nuk do të pushtohej në kohën e duhur dhe do të ndërgjegjësohej për të krijuar shtetin e vet të pavarur.
Kreu i Akademisë, Vllado Kambovski, në fjalën përshëndetëse ndër të tjera u shpreh se nga aspekti historik, luftërat ballkanike nuk mund të shihen assesi ndryshe përveçse si një barrierë e dhunshme e më shumë fuqive kundër zhvillimit të luftës për pavarësi të Maqedonisë, dhe më e keqja qëndron në faktin se një pjesë e atyre koncepteve ende nuk kanë vdekur. “A do të ketë ndonjëherë paqe të qëndrueshme në Ballkan? Kur qeveritë dhe popujt ballkanas do të perceptojnë nocionin komb si një përmbledhje ngjashmërish kulturore dhe jo si një kreaturë e pastër etnike e parapërcaktuar. Tranzicioni, si rruga e vetme drejt demokracisë, të gjithëve në Ballkan fatkeqësisht na ka kthyer një hap mbrapa, drejt kohës së koncepteve për shtete të mëdha dhe të pastra”, ka thënë kreu i Akademisë.
Tubimi shkencor do të vazhdojë edhe të martën. Në të do të diskutojnë edhe studiues shqiptarë nga universitete publike dhe private.
Shqiptarët: Distancohemi nga Akademia/Në stafin e organizatorëve të këtij tubimi, përgatitjet e të cilit kanë filluar muaj më parë, bëjnë pjesë edhe emrat e dy shqiptarëve, drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shefqet Zekolli dhe historianit Myzafer Bislimi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës. Bislimi pohon se gjithsecili mban përgjegjësi për ato që deklaron, edhe pse boshti i këtij tubimi ka qenë që të diskutohej për të ardhmen e përbashkët të popujve të Ballkanit dhe eurointegrimet. “Ne si historianë jemi me historinë, sa për të tjerat secili mban përgjegjësi për ato që thotë, në këtë rast Ristovski njihet për tezat e tij. Ky tubim kishte një tjetër qëllim, të gjendet një e përbashkët për eurointegrimet, për ardhmërinë e popujve të Ballkanit 100 vjet pas luftërave ballkanike”, ka thënë Bislimi. Ndërsa Zekolli pohon se ai nuk ka qenë prezent në fazat përgatitore, jo vetëm për faktin se nuk është historian, por edhe se si institucion ata kanë rezerva ndaj AMSHA, një prej arsyeve që asnjë historian nga Instituti nuk ka marrë pjesë në tubimin shkencor. “Kam rezerva ndaj punës së Akademisë dhe përderisa ata nuk kanë qëndrim korrekt ndaj etnive jomaqedonase dhe nuk distancohen deklarativisht nga vepra, si Enciklopedia Maqedonia, ne nuk jemi të hapur për bashkëpunim. Ky qëndrim sidomos i disa individëve të AMSHA, prej të cilëve as ajo vetë nuk distancohet, nuk i bën nder as institucionit shkencor”, ka thënë Zekolli.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”