E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Koalicioni “Kukuriku” i Kroacisë s’po i zgjidh çështjet për të cilat u zgjodh

05-12-2012 / Gazeta 55

Një mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës Kukuriku të Kroacisë për të krijuar një taksë të re prone në prill ka treguar se koalicioni është në krizë dhe shkaktoi pyetje lidhur me atë nëse do të mbijetojë, sipas analistëve. Partia Popullore Kroate (HNS) së bashku me dy parti të tjera më të vogla, Partia Demokratike e Istrias (IDS) dhe Partia e Pensionistëve të BiH (HSU) janë kundër Partisë Social Demokratike (SDP) në fuqi e cila ka ndërmend të prezantojë një taksë të debatueshme për të gjithë shtetasit që zotërojnë çfarëdo lloj prone. Shumë thonë se ata besojnë se Radimir Çaçiç. president i HNS, po orkestron krizën e koalicionit. "Një konflikt lidhur me ligjin e taksës së pronës është një tregues serioz i krizës në qeveri. Në këtë pikë unë mundet vetëm të hamendësoj nëse prapa konfliktit qëndron Radimir Çaçiç", tha për Dnevnik.hr, presidenti Ivo Josipoviç. Çaçiç dha dorëheqjen në mes të nëntorit pasi një gjykatë hungareze e dënoi atë me 22 muaj burg për një aksident fatal me makinë në 2010, në të cilën vdiqën dy vetë. Ai është i treti ministër që ka dhënë dorëheqje që kur koalicioni formoi qeverinë në 2010. Përfaqësuesit e koalicionit mohojnë se ka një konflikt midis krerëve të partisë apo ka një krizë politike qeveritare. "Kjo mosmarrëveshje rreth taksës së pronës nuk do të thotë automatikisht një konflikt brenda koalicionit, por një përpjekje për të arritur një marrëveshje. Në qoftë se ne jemi në një koalicion nuk do të thotë se jemi bashkuar së bashku në një parti dhe se të gjithë mendojnë njëlloj", tha për SETimes Boris Blazhekoviç, deputet nga partia HNS. Blazhekoviç tha se dorëheqja e Çaçiç nuk do të pakësojë punën e qeverisë, por me siguri do ta ndryshojë atë. "Qeveria ende ka mjaft punë që duhet të kryhet sistematikisht pavarësisht se kush vjen e ikën nga radhët e saj", tha ai. Analistët argumentuan se kriza në koalicionin qeverisës është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e publikut nga çështjet e ngutshme dhe koalicioni do të qëndrojë. "Çaçiç la qeverinë dhe prapë dëshiron që të mbetet në skenën politike. Është sugjeruar gjithashtu këto ditë se HNS do që të lërë koalicionin. Një qeveri teknike do të ishte një zgjidhje e mirë, por kjo nuk do të ndodhë sepse pushteti është shumë i ëmbël për ata", tha Davorka Budimir, nënpresidente e Shoqatës kroate të Shkencave Politike. Opozita kroate shfrytëzoi rastin të theksojë se qeveria është kapur në një krizë idesh dhe zgjidhjesh. "Ata treguan se absolutisht nuk kanë plan si të qeverisin Kroacinë. Një plan i tillë mund të ishte sjellë një kohë shumë më parë sepse koalicioni ishte në opozitë prej vitesh", tha Drazhen Boshnjakoviç, deputet i HDZ në parlamentin kroat. Shumë banorë duket se ndajnë pikëpamjen se qeveria është e hutuar dhe nuk po trajton problemet për të cilat u zgjodh. "Sapo ata nisin të merren me veten e tyre në vend që të merren me ne, qytetarët, është e qartë se si do të përfundojë situata. Tani është më e rëndësishme [për krerët e koalicionit] se kush do të zëvendësojë Çaçiçin, ose nëse koalicioni do të bjerë, sesa ne që duhet të kemi para për të paguar taksat që rriten përditë. Kjo lloj sjelljeje do të ndëshkohet në zgjedhjet e ardhshme", tha Gordana Vukmirica, 37 vjeçe, banore e Zagrebit.
“Southeast European Times”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›