E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Studimi i fizibilitetit për Asocimin hap përpara për Kosovën

BRUKSEL- Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, deklaroi se nisja e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Bashkimit Evropian me Kosovën, është një hap shumë i rëndësishëm përpara i Kosovës, në raport me Bashkimin Evropian.

Komisionari Fyle e bëri këtë deklaratë pas takimit me delegacionin e Kosovës, që udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi, në Bruksel, raportoi Koha Ditore.

Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi theksoi se studimi i Fizibilitetit është një hap i rëndësishëm, që shënon avancimin e perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës dhe është hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës.
"Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në funksion të përmbushjes së të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, në mënyrë që edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të jetësohet sa më parë", theksoi kryeministri Thaçi.

Fyle u shpreh se nga qeveria e Kosovës “pret një agjendë afatgjatë për veriun e Kosovës”.

Kryeministri Thaçi gjatë ditës së sotme në Bruksel u takua edhe me kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Janša, me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, si dhe me eurodeputetët Eduard Kukan dhe Ulrike Lunacek. Në këto takime u vlerësua qëndrimi i Prishtinës për hapjen e perspektivës evropiane për Kosovën dhe rajonin si dhe i është dhënë mbështetje Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e përmbushjes së axhendës evropiane për Kosovën.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›