E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Bode: Opozita, Plan për shkatërrimin e ekonomisë

01-03-2012 / Gazeta 55

Ministri i Financave, Ridvan Bode e ka cilësuar projektligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” si një ligj model që bën të mundur vendosjen e drejtësisë sociale. Duke folur në seancën plenare ministri Bode theksoi se ndryshimet në ligj janë teknike dhe reflektojnë nevojën të atyre që duhet të deklarojnë të ardhurat vjetore dhe nuk prek asnjë nga asetet e tjera. “Ky ndryshim reflekton të kundërtën e asaj që pretendojnë disa të majtë që mundohen të gjejnë shpirtrat e vdekur duke theksuar se në vend kanë 1.2 milionë të papunë. Ky ligji është nga më modernët i cili është përqafuar anembanë botës. Ai është më funksionali dhe më efikasi për eleminimin e barazive që sjell ekonomia e tregut. Opozita kërkon që nëpërmjet kundërshtimit të ligjit t’i hapë rrugë taksës progresiste duke e prezantuar atë si modernizim”- u shpreh Bode. Duke iu përgjigjur akuzave të PS-së për taksën e sheshtë, Bode e cilësoi tatimin me 10%, si taksën më modern dhe më të mirë që bën të mundur zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqënies së vendit. “Taksa e sheshtë na mbajti jashtë krizës. I qëndruam krizës sepse ne ndërmorrëm një politikë fisklale që na bëri t’i qëndrojmë goditjeve të ardhura nga jashtë. Ju kërkoni të vendosni taksën progresive se doni të ktheni kohën e monopoleve, në republikë bananesh. Ju doni të shkatërroni ekonominë e vendit, doni të riketheni konjukturat që nuk favorozojnë tranparencën dhe konkurencën. Ju keni armiqësi ndaj tregut në tërësi”- tha Bode. Ai vuri në dukje se politika fiskale e qeverisë ka dyfishuar të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe mundësoi që për katër vite të rrisë më shumë se dy herë pagat në arsim e shëndetësi ashtu sikurse pensionet. “Nuk është e vërtetë se Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë në rajon. Por ka një sërë ligjesh që kërkojnë 2/3 psh Kodi i Punës që na penalizon në sistemin e taksave dhe në tregun e punës. Në Shqipëri paguajmë kontributin e sigurimeve shoqërore 15 nga biznesi dhe 11 % nga i punësuari. Më gjeni një vend në rajon që të ketë barrën e kontributit të punës nga dyja palët nën 39 %”, tha Bode.
Sipas tij, Shqipëria nuk i ka taksat më të mëdha por ka disa ligje që na bën të vuajmë me renditjen tonë në fushën e taksave. “Taksat e ulëta rritën konkurencën dhe eliminuan evazionin fiskal. Sot të kushton më lirë të jesh i regjistruar se sa të jesh i fshehur. Ka rënë korrupsioni në fushën fiskale dhe është rritur numri i subjekteve të regjistruara. I krijuam ekonomisë shqiptare mundësinë të integrohen në treg pjesë të tëra të ekonomisë”- deklaroi kreu i Financave, Ridvan Bode.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›