E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar, Maqedonia përfshihet nga debate të nxehta

01-03-2012 / Gazeta 55

Reagon ambasadori amerikan, Wohlers: Vrasësi të marrë përgjegjësi ligjore

Vrasja e dy shqiptarëve nga polici maqedonas që ndodhi në Gostivar, ka tensionuar marrëdhëniet ndëretnike në këtë qytet, por edhe në nivel republike. Qindra nxënës të shkollave të mesme kanë protestuar në qendër të qytetit, duke kërkuar dënim maksimal për policin Jakim Trifunovski, i cili të martën vrau Imran Mehmetin 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç.
Tensionin edhe më tepër e ka shtuar deklarata e zëdhënësit të ministrisë së punëve të brendshme Ivo Kotevski, i cili tha se polici ka shtënë në vetëmbrojtje. Në reagimin zyrtar të kryetarit të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani thuhet se kjo deklaratë është skajshmërish e pavërtetë, sepse dëshmitarët thonë të kundërtën.
Qëndrimin e zëdhënësit të policisë e ka përgënjeshtruar edhe Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Bajrami.
Policia ka njoftuar se ka ngritur padi penale ndaj policit vrasës për të cilin ka caktuar edhe masën paraburgim 30 ditor. Kanë reaguar edhe partitë politike duke kërkuar zbardhje të shpejtë të rastit dhe dorëheqje të zëdhënësit të policisë.
Edhe ambasadori amerikan në Shkup Paul Wohlers ka kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ndriçuar rastin.
“Ndodhi që personat e përfshirë ishin të dy grupeve të ndryshme etnike, mendoj se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në këtë rast, të përcillet me proces hetues dhe mendoj se të gjithë duhet të presin rezultatin e hetimit. Ndërkohë duhet të qëndroni të qetë, që procesi hetues të zbatohet. Kështu funksionon sundimi i ligjit, kështu funksionon demokracia dhe është një mundësi e mirë që të ndiqen këto rregulla”- tha ambasadori amerikan
Dy viktimat Mehmeti dhe Shehapi të mërkurën janë varrosur në varrezat e qytetit në Gostivar. Ndërsa sot, janë paralajmëruar protesta më masive para gjykatës së Gostivarit, ku edhe ka ndodhur vrasja. Lëvizja Qytetare ZGJOHU!, ka reaguar duke dënuar vrasjen makabër, por edhe ka kërkuar dënim maksimal për autorin, policin Trifunovski.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›