Topalli-Hysenit: E ardhmja e sigurt e Shqipërisë, Kosovës dhe e Ballkanit është në BE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Në këtë takim, kreu i diplomacisë kosovare vlerësoi se përkrahja e Shqipërisë në procesin të njohjes së Kosovës, është e pazëvendësueshme. “Përkrahja e institucioneve shqiptare dhe e juaja si Kryetare e Kuvendit, e ka bërë këtë proces të pandalshëm”, u shpreh Hyseni. Për të, krahas ecurisë së njohjes së Kosovës, sfida më e madhe është anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare deri në anëtarësimin e plotë në OKB. Ai tha se faktorët politikë të Kosovës po japin gjithnjë e më fort mesazhe të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit. Ndërsa kryetarja e Kuvendit këto mesazhe bashkëpunimi janë thelbësore dhe dëshmi e vizionit perëndimor dhe mendësie moderne të popullit dhe liderëve të Kosovës. “Vendet e rajonit duhet të shohin nga e ardhmja. E ardhmja e sigurt e Shqipërisë, Kosovës dhe e vendeve të Ballkanit është në BE”, vlerësoi Topalli. Ata vlerësuan nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e pjesës kosovare të “Rrugës së Kombit”, arteries që do lidhë edhe më shumë politikisht dhe ekonomikisht jo vetëm dy vendet, por gjithë zonën ballkanike e më tej.