E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli kërkon nga Maroku njohje të shtetit së Kosovës, si garanci për stabilitet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në zyrën e saj, Ministren e Shtetit për Punët e Jashtme të Marokut Latifa Akharbach dhe, gjatë bisedës kërkoi mbështetjen e vendit të saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetarja e Kuvendit tha se Kosova është një rast unik. “Pavarësia e Kosovës është garancia e stabilitetit, paqes dhe e proceseve integruese të rajonit në Perëndim”, u shpreh Topalli. Biseda u ndal në bashkëpunimin dy dhe shumë palësh. Maroku, një vend që është shumë pranë Evropës dhe po gëzon statusin e vendit aspirant për BE, është pjesë e Unionit Mesdhetar, ashtu si dhe Shqipëria e vende të fuqishme evropiane si Spanja, Franca, Italia etj. Shqipëria dhe Maroku bashkëpunojnë në kuadër të Bashkimit për Mesdheun dhe Dialogut Mesdhetar dhe, si dy vende mesdhetare, kanë një mirëkuptim të natyrshëm dhe, kjo është bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit. “Jam shumë e kënaqur që jam në parlamentin tuaj, shtëpi e demokracisë. Ne e vlerësojmë shumë këtë institucion si një aktor të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi”, tha Ministrja Akharbach. Kryetarja e Kuvendit dhe Ministrja e Shtetit të Marokut ranë dakord për fuqizimin e kuadrit ligjor dhe marrëveshjeve, veçanërisht për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Hapja së afërmi e ambasadës së Marokut në Tiranë do të jetë një hap konkret nxitës në intensifikimin e bashkëpunimit. Zonja Akharbach e ftoi Kryetaren e Kuvendit për një vizitë të afërt në Marok, ftesë që u mirëprit nga Kryetarja e Kuvendit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›