Çështjet kur kokaina del paracetamol
Prokurori i Tiranës, Sokol Malaj, tha se në disa raste persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve janë mbajtur në qeli për shkak të vonesave të akteve të ekspertimeve, të cilat kanë treguar se lënda e kapur nuk është narkotike. Ai përmendi të paktën pesë dosje, të cilat janë pezulluar e më pas pushuar, pasi ekspertiza e kryer ka treguar se në të gjitha rastet lënda e kapur ka qenë paracetamol, ose kafetinë. Rastet e evidentuara, sipas Malajt, bëjnë fjalë për disa të pandehur, që fillimisht janë arrestuar pasi u janë sekuestruar sasi heroine apo kokaine, madje është kërkuar edhe masë sigurie arrest me burg pa afat. Në shumicën e rasteve kjo kërkesë e Prokurorisë është pranuar nga gjykata, ndërsa vetëm pas daljes së akt-ekspertimit, organi i akuzës ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për këta të dyshuar, madje ka vendosur edhe pezullimin e çështjeve.