Topalli: Jemi ende në situatë emergjente
Kryeministri Berisha pohoi se shteti do të ndërhyjë edhe me forcë për evakuimin e banorëve në zonat e rrezikut
Deputetë demokratë dhe socialistë kanë mbërritur në zonat e përmbytjes. Dokle: Duhet të ishte ndërhyrë më parë
SHKODËR - E mbërritur pasditen e djeshme në zonat e përmbytura nga hapja e portave të tre hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se "pavarësisht nga përmirësimet e motit dhe ndërprerja e shkarkimeve, jemi në situatë emergjente dhe duhet të vazhdojë marrja e masave për përforcimin e argjinaturave".
Topalli theksoi se baticat kanë penguar daljen e Bunës në det dhe kjo ka sjellë që niveli i ujit të mbledhur të rritet. "Iu kemi kërkuar dhe vazhdojmë t'iu kërkojmë banorëve të mos rrezikojnë duke qëndruar në banesa, por të evakuohen.
Shteti ka marrë të gjitha masat për akomodimin e tyre. Kërkohet bashkëpunim me forcat e ushtrisë, të policisë që janë në dispozicion dhe të rreshtuara në çdo lagje e çdo fshat ku paraqitet rrezik, me qëllim për të mbështetur banorët.
Banorët po hezitojnë të evakuohen, por nuk i dihet situatës metereologjike dhe ndoshta do të jemi të detyruar që, sipas vendimit të specialistëve përkatës, të hapim porta e shkarkojmë ujëra, prandaj nuk duhet rrezikuar asnjë jetë njeriu.
I bëj thirrje nënave, grave që të evakuohen. Shteti ka marrë masa, ka vënë në dispozicion hotele e konvikte. Si asnjëherë tjetër shteti është i pranishëm për t'i paraprirë çdo situate dhe për ta menaxhuar atë. Jo si në 2004-n, ku shkarkoheshin 2400 metër kub ujë në sekondë pa lajmëruar asnjë familje. Duhet që banorët të bashkëpunojnë me shtetin", përfundoi.
Të pranishëm në Shkodër kanë qenë dhe deputetët e PS-së, Namik Dokle, Tom Doshi, Astrit Beci, Saimir Tahiri, Gjokë Jaku etj. Ata kanë komunikuar me banorët dhe kanë parë nga afër situatën në vendet më kritike.
Dokle është shprehur se "deputetët e majtë e të djathtë janë këtu për të shprehur solidaritetin me banorët e përmbytur. Siç na thanë dhe banorët që kontaktuam, shkarkimet duhet të ishin bërë më graduale, dhe kjo nuk do ta kishte sjellë këtë situatë.
Në këtë drejtim nuk duhet punuar me voluntarizëm e partizanllëk, por me llogaritje shkencore. Shqipëria ka një komision të digave që i di të gjitha rregullat, si dhe mënyrat kur duhen hapur portat, që të mos dëmtohen banorët. Në qoftë se qeveria do të merrte masa paraprake, situata do të ishte e zgjidhshme ose më e lehtë.
Qeveria, në vend që të merret me ëndrrat holandeze, të merret me masa konkrete për zgjidhjen e situatës dhe hallet e njerëzve që kanë të përmbytura shtëpitë, pasuritë e tyre dhe që presin zgjidhje e shpëtim, jo vetëm nga Perëndia, por dhe prej saj.
Njerëzit duhet t'u binden rregullave dhe të evakuohen për të mos rrezikuar jetën e askujt. Kuptohet ato kanë lidhjet e meraqet e tyre për pasurinë, por duhet mënjanuar rreziku njerëzor.
Pa hapur panik, ata e njohin se kur rreziku i vjen afër dhe me mirëkuptim e bashkëpunim do ta zgjidhin problemin me qëllim që të mos ketë asnjë mjet të humbur. Ata e dinë se kur vjen, e dinë si ta përballojnë dhe kërkojnë impenjim të fortë dhe masa konkrete e miratim fondesh urgjente".
Deputetët e PD-së, Astrit Bushati, Arenca Troshani, Gëzim Dibra, Gjokë Uldedaj, drejtuesit vendorë të Shkodrës, si: prefekti Cungu, kryetari i qarkut Kolombi, kryebashkiaku Luka etj, kanë komunikuar me banorë në Dajç, Obot, Darrgjat, etj, duke u përpjekur të binden për evakuim, pasi nuk iu dihet shkarkimeve, pasi ato varen nga kushtet atmosferike dhe vendimet e specialistëve përkatës.
Kryeministri Berisha në takimin e zhvilluar të shtunën në Shkodër theksoi se po merren masa paraparake, pasi nisur nga parashikimet sinoptike mund të jetë e nevojshme shkarkimi i ujërave për të mos rrezikuar veprat hidroenergjitike dhe gjithë ultësirën e Shkodrës .
Ai shtoi se shteti do të ndërhyjë edhe me forcë për evakuim banorësh. "Mund të qëndrojë ndonjë mashkull dhe ai me mjete komunikimi në banesë, por të tjerët duhen larguar, pasi nuk e dimë se si shkon situata".