E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënoficeri i Ushtrisë plagos hajdutin, arrestohen të dy

TIRANË- Oficeri i Ministrisë së mbrojtjes plagos rëndë një person i cili po tentonte të vidhte një lokal bashkë me tre persona të tjerë. Albin Hoxha, 24 vjç, banues në Tiranë me detyrë nënoficerë në Ministrinë e Mbrojtjes ka plagosur me armën tip pistoletë Hysen Kanushin, 32 vjç, me banim në Tepelenë.

Ngjarja ka ndodhur më tre janar rreth orës 5 e 20 minuta në rrugën "Sitki Çiço", ku Kanushi bashkë me tre persona të tjera kanë tentuar të vjedhin një lokal në zonën pranë Maternitetit "Koço Gliozheni", por që është parë nga nënoficeri.

Pasi ky i fundit ka konstatuar se po vidhej lokali ka ndërhyrë duke u konfrontuar fizikisht me 32- vjçarin nga Tepelena dhe ka shkrepur armën në mënyrë të pavullnetshme duke plagosur rëndë personin që po tentonte të vidhte lokalin.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, lidhur me këtë ngjarje është arrestuar nënoficeri Albin Hoxha i akuzuar për plagosje të rëndë në kalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Ndërkohë, disa minuta pas ngjarjes efektivat e specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë arrestuar dhe 32- vjçarin Kanushi, i akuzuar për vjedhje e mbetur në tentativë.

Si provë materiale policia ka sekuestruar pistoletën tip "Bereta" që mbahej nga Albin Hoxha. Nga burimet e Policisë mësohet se Hysen Kanushi ishte i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës po për veprën penale të vjedhjes.

Ky i fundit, bashkë me tre persona të tjerë kanë tentuar në orët e para të mëngjesit të datës tre janar që të vjedhin një lokal pranë Maternitetit të Ri, por që janë parë nga nënoficeri i Ministrisë së Mbrojtes. Tre personat e tjerë kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa Kanushi mbeti i plagosur pas konfrontimit që ka pasur me nënoficerin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›