E Shtunë, 31 Tetor 2026

I moshuari gjendet i vrarë dy ditë pas zhdukjes

Shefik Grori ishte larguar nga shtëpia dhe i kishte thënë së shoqes se do shkonte në fshat të shikonte pronat që kishin

Burri 72- vjçar u gjet i vrarë me sende të forta në kokë. Dyshimet e policisë për krimin lidhen me pronat

TIRANË- Gjendet i vrarë me sende të forta në kokë, dy ditë pasi ishte larguar nga shtëpia i moshuari 71-vjçar, pranë fshatit Gror ku edhe kishte deklaruar destinacionin e tij për të vizituar pronat e familjes.

Shefik Grori, 71 vjç, banues në Tiranë, u gjet i vrarë në një distancë të largët të pronave të tij nga banorë të zonës që lajmëruan policinë ndërsa, familja kishte njoftuar dy ditë më parë humbjen e tij dhe kishte kryer një denoncim në organet përkatëse. Policia nis hetimin për shkaqet e mundshme të krimit të rëndë ndaj burrit të moshuar.

Dyshimet e para të ngjarjes, sipas policisë, lidhen me një krim të mundshëm për motive pronësie për shkak të një konflikti pronash që kishte sipas burimeve të policisë viktima në fshat.

Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, bënë me dije dje se Shefik Grori, 71 vjç, banues në Tiranë është gjetur i vdekur të hënën rreth orës 11.00 të paradites, në fshatin Gror në periferi të kryeqytetit, ku mësohet se kishte vajtur pasi ishte larguar nga banesa e tij në kryeqytet.

Nga kqyrja e trupit të viktimës e kryer nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët e hetimit të krimit, është konstatuar se në kokën e viktimës kishte dy plagë të rënda të shkaktuara me sende të forta, ndoshta me dru.

Mësohet se trupi i pajetë i të moshuarit është gjetur nga banorët e fshatit Gror, të cilët kanë lajmëruar policinë, e cila është nisur në këtë fshat për të kryer veprimet hetimore. Dyshimet e para kanë qenë për një vdekje natyrale, por kur trupi i viktimës është këqyrur nga afër janë konstatuar shenja dhune plagë dhe hematoma.

Burimet nga policia e kryeqytetit pohuan dje se Grori kishte dy plagë të rënda në kokë dhe dyshohet se është goditur me dru, që më pas i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Ndërkaq në trup të moshuarit nuk i janë konstatuar plagë të tjera.

Policia ka marrë në pyetje dhe ka shoqëruar disa nga banorët të fshatit ku është gjetur i vdekur Grori, të cilët janë pyetur për aktivitetin e këtij të fundit për ditët e qëndrimit në fshat.

Shefik Grori ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë dhjetë ditë më parë dhe kishte shkuar për të jetuar tek pronat e tij në fshatin Gror, që ndodhet në periferi të kryeqytetit dhe mësohet se jetonte i vetëm.

Trupi i pajetë i 71- vjçarit Grori është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të kryhet ekspertiza që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së tij. Hetimet e policisë për këtë ngjarje janë përqendruar në pistën e ndonjë konflikti të mundshëm për çështje pronësie, nisur nga fakti se i moshuari kishte disa prona në fshatin ku është gjetur i vdekur.

Bëhet e ditur se akoma nuk ka persona të identifikuar apo të dyshuar si autorë të vrasjes së Shefik Grorit. Nga hetimet paraprake të policisë, ngjarja është klasifikuar si vrasje, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të vrasjes me dashje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›