E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Keni edhe 49 ditë kohë

Letër deputetëve të PS-së: Më 6 mars skadon mandati. Të hënën, seancë për përmbytjet
Pasi duroi katër muaj mosprezencën e tyre në punimet e Kuvendit, Jozefina Topalli u drejtoi dje një letër zyrtare nominalisht secilit deputet të Partisë Socialiste. Kryeparlamentarja fton 64 deputetët e Partisë Socialiste të marrin pjesë në seancat e radhës së Parlamentit për të mos humbur mandatin e marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sakaq, po në këtë letër Topalli ka njoftuar se më datë 18 janar do të mbahet edhe seanca e parë parlamentare për këtë vit. Aty është rënë dakord që të diskutohet mbi gjendjen e emergjencës së vendosur në Qarkun e Shkodrës, si rezultat i përmbytjeve.
Thirrja
Kryetarja e Kuvendit, në letrën e bërë publike dje për median, u bën thirrje ligjvënësve socialistë që të ndalojnë bojkotin e nisur prej muajsh. “Më 7 shtator 2009 u mblodh Kuvendi i Shqipërisë, duke shënuar fillimin e sesionit të parë të Legjislaturës XVIII. Në këtë sesion, në 17 seanca plenare u miratuan 69 ligje dhe 20 vendime që u përkasin reformave të rëndësishme në fushën ekonomike dhe fiskale, çështjeve sociale, në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë e të drejtësisë”, shkruan Topalli. Sipas saj, Kuvendi i zhvilloi punimet në këtë sesion pa praninë e deputetëve të opozitës. “Si Kryetare e Kuvendit, në mënyrë të vazhdueshme kam bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të marrë pjesë në veprimtarinë e tij, në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i zgjedhësve”, thotë Topalli.
Në ushtrim të funksioneve të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Topalli informon se Kushtetuta në nenin 71, pika 2, parashikon ndër të tjera: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin, d)kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”. Duke cituar këtë nen, në letrën e saj Kryetarja e Kuvendit thekson se sipas përllogaritjeve, data 6 mars është dita e fundit kur deputetët kanë të drejtën të bëjnë betimin, duke mos djegur mandatin e tyre. Po kështu, Topalli u kujton deputetëve se deri në datën 6 mars, do të zhvillohen 8 seanca plenare dhe se deputetët e PS-së janë të mirëpritur për të bërë betimin e tyre brenda këtyre seancave.
“Me ketë letër ju ftoj, me dëshirën më të mirë, që të merrni pjesë në punimet e Kuvendit e të përmbushni detyrimet tuaja kushtetuese”, thekson Topalli në mbyllje të letrës së saj. Kryetarja e Kuvendit në prononcimet e saj të mëparshme në lidhje me këtë çështje ka theksuar se Parlamenti nuk mund të jetë asnjëherë në kapacitetin e tij maksimal në rast se aty mungojnë deputetët opozitarë. Ndërsa në lidhje me procedurën, për t’i bërë të pavlefshme mandatet e deputetëve të PS-së, Topalli ka theksuar se ky është një vendim që merret nga KQZ-ja në kuadër të zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Seanca
Mazhoranca ka vendosur që seancën e parë të sesionit dimëror të Kuvendit t’ia kushtojë situatës së krijuar në veri të vendit, si rezultat i përmbytjeve të ndodhura gjatë 15 ditëve të fundit. Këtë njoftim, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ua dërgoi dje zyrtarisht në letrën e saj edhe deputetëve të Partisë Socialiste, në kuadër të kërkesës për kthimin e tyre në Parlament.
Po kështu, në letër Topalli nuk harron të theksojë se ajo shpreson për një kthim të opozitës në dyert e Kuvendit, ditën e hënë, nisur edhe nga rëndësia e diskutimeve mbi situatën emergjente në zonën e Shkodrës. Situata e ndodhur në veri të vendit ka sjellë një ndarje edhe më të thellë mes PD-së dhe PS-së në vend, nisur edhe nga akuzat e socialistëve për përgjegjësi të qeverisë në përmbytjen e mijëra hektarëve tokë në këtë zonë. Nga ana tjetër, mazhoranca e ka akuzuar Ramën dhe Partinë Socialiste se po bëjnë politikë me një ngjarje të rëndë, siç është ajo e përmbytjes.
Po kështu Kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të lartë të mazhorancës kanë theksuar se Rama hedh akuza të kota dhe artikulon “dokrra” për situatën në Shkodër. Mazhoranca po ashtu e ka ftuar opozitën, që ndihmën e saj për të përmbyturit ta kanalizojë përmes kanaleve zyrtare të dhënies së ndihmës dhe jo të funksionojë si fraksion më vete. Dy ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi në emisionin “Top Story” se opozita do të pranonte të kthehej në Kuvend, nëse ai do të thirrej në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi situatën e përmbytjeve të shkaktuara në Qarkun e Shkodrës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›