Gërdeci, SHBA fshin nga harta Shqipërinë për blerje të armëve

Pentagoni, pas skandalit kontrakton një firmë që e furnizon me municione nga Rumania, Bullgaria dhe Serbia
Shqipëria “fshihet” nga harta për shitjen e armëve, pas tragjedisë së Gërdecit dhe skandalit për falsifikimin e municioneve kineze si municione hungareze. Departamenti Amerikan i Shtetit ka përfunduar fazën e parë të dërgimit të municioneve në Afganistan dhe Irak. Sipas informacioneve që vijnë nga SHBA, municionet e vjetra janë marrë nga vendet e ish-Traktatit të Varshavës dhe vendet e Europës Lindore, konkretisht në Rumani, Bullgari dhe Serbi dhe janë dërguar në zonat e luftës.
Kontrata e re
“Ushtria amerikane ka kontraktuar me firmën ‘Alliant Techsystems (ATK)’ për të siguruar municione ushtarake, jo standarde, në Afganistan”, shkruajnë mediat në SHBA, duke shtuar se kësaj here, firma menaxhon një fabrikë të vërtetë municioni të ushtrisë dhe do të sigurojë municione të kalibrave ruse, një shumëllojshmëri e prodhuesve të huaj. Të dhënat flasin se ushtria afgane preferon municionin e ish-Bashkimit Sovjetik, në vend të municionit standard të NATO-s, pasi para se ushtria amerikane “të pushtonte” Afganistanin, policia dhe ushtria vendase përdornin armët e vjetra të bllokut lindor në Europë, të cilat nuk i kanë nderuar ende. “Armët dhe municionet e këtyre kalibrave do të blihen në vendet e Europës Lindore, si Bullgari, Serbi dhe Rumani”, deklaron firma që ka fituar të drejtën t’i eksportojë ato në Afganistan dhe Irak. Në këtë mënyrë, Shqipëria, e cila ka kryer sasinë më të madhe të shitjeve të armëve “të vjetra” pas viteve 2004, është “përjashtuar”, duke qenë se firma amerikane AEY, duke bashkëpunuar me kompani shqiptare, ka mashtruar Departamentin Amerikan të Shtetit.
Mashtrimi i AEY
ATK ka njoftuar se ka përfunduar kontrata e parë që është dhënë në muajin dhjetor të vitit 2008, kohë në të cilën është prishur nga Departamenti Amerikan i Shtetit kontrata me firmën AEY, e cila drejtohej nga 23-vjeçari Efraim Diveroli, pasi kishte mashtruar ushtrinë, duke dërguar në Afganistan municione kineze të marra nga Shqipëria si municione të vjetra të ish-bllokut sovjetik. Mësohet se kontrata që ATK ka përfunduar, ka një vlerë prej 87 milionë USD dhe është kryer përpara afatit. ATK, sipas njoftimit që ka dhënë pas përfundimit të kontratës së parë, është përgjegjëse për menaxhimin e furnizimit të forcave afgane të sigurisë me municione të vogla si raketa dhe granata. Mediat në SHBA shkruajnë gjithashtu se “këto kontrata janë dhënë pas një përpjekjeje të dështuar më parë, pasi kompania AEY, që drejtohej nga një njëzetetrevjeçar, kishte mashtruar me municionin në fjalë”. Më tej vijohet se skandali i këtyre falsifikimeve dhe mashtrimeve është bërë publik pas shpërthimit që ndodhi në një fabrikë për demontimin e municionit në Shqipëri. Sipas të dhënave të ushtrisë së SHBA-së, kontraktimi i firmës ATK, ndryshe nga AEY, është frytdhënës, pasi ka përmbushur para kohës nevojat e forcave të sigurisë në Afganistan me municione. “Furnizuesit jo standardë, në botën e tregtisë ndërkombëtare të armëve, janë më efektivë edhe nëse kushtojnë më shumë”, shkruajnë mediat në SHBA.
Mësohet se krahas kontratës së parë, ATK-së i janë dhënë edhe dy kontrata shtesë për të siguruar armë dhe municion në Afganistan. Kompania me bazë në Mineapolis, tha në një deklaratë se ka përfituar një kontratë të re prej 105 milionë USD në vitin e parë dhe një tjetër kontratë në vlerë 250 milionë.
#