E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010-a, ndryshime në ligjin e arsimit të lartë

Nuk do të preket kapitulli i financave, do të propozohen amendime në bazë të kërkesave të universiteteve

Deri në qershor të këtij viti, Ministria e Arsimit do të dorëzojë pranë organeve ligjvënëse disa ndryshime lidhur me ligjin e arsimit të lartë. Deklarata e parë lidhur me këtë pjesë ka ardhur dy muaj më parë nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ndërkohë që të gjithë paketën e ndryshimeve që do të pësojë ky ligj, e ka konfirmuar vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, i vetmi kapitull që nuk do të preket dhe do të mbetet i pandryshuar do të jetë “sektori” i financave.Ende pa u mbyllur mirë viti 2009, universitetet shtetërore dhe ato private do të diskutojnë lidhur me të gjitha kërkesat e tyre në përmirësim të mësimdhënies në arsimin e lartë.
Konkretisht ndryshimet që do të propozohen, duke pasur parasysh edhe implementimin e procesit të Bolonjës, tashmë një sistem i konsoliduar në vendin tonë, por, nga ana tjetër, edhe kërkesat e secilit fakultet, që pavarësisht sistemit, ka nevojë edhe për kritere të tjera për të mos cenuar “funksionin”.Ndër fakultetet që janë të veçantë dhe do të diskutojnë me detaje pozicionin e tyre është Juridiku apo Fakulteti i Mjekësisë. Nëse fakulteti e Juridikut do të kërkojë që sistemi universitar të mos jetë vetëm tre vite, por katër, apo të ketë detaje të tjera të ndryshme nga fakultetet e tjera, atëherë do të gjendet një rrugë e mesme.
Po ashtu, Fakulteti i Mjekësisë, që sot zgjat pesë vite, pa llogaritur këtu specializimet apo proceset e studimit në nivelin master, deri tani ka mbajtur “pozicionin” duke ruajtur kërkesat bazë të arsimimit në këtë fushë. “Lidhur me ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë ne jemi në proces për të bërë disa amendamente të domosdoshme për ligjet e arsimit të lartë. U kemi kërkuar të gjitha universiteteve publike dhe private të shprehin mendimet e tyre dhe synojmë që brenda 6-mujorit të parë të 2010-s të shkojmë në Parlament me disa ndryshime të ligjit, por pa prekur kapitullin e financave”, tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, ndryshimi do të ketë të bëjë me titujt e diplomave dhe disa amendime më pak të rëndësishme.
“Ky sistem ka disa vështirësi. Ne synojmë t’i përmirësojmë dhe do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, Bachelor, Master dhe Doktoratë. Ne do të heqim masterin e nivelit të dytë, pasi është një nivel që ka shkaktuar disa probleme në sistemin e arsimit të lartë në tërësi”, sqaroi Tafaj. Sipas të dhënave, masteri i nivelit të dytë nuk do të jetë më në këtë formë, por përkrah masterit në skemën normale të Bolonjës. Ky do të jetë ndryshimi kryesor dhe disa ndryshime të tjera të lehta në ligjin e arsimit të lartë. Sipas specialistëve të arsimit, pas dy vjet e gjysmë implementimi, kur ligjet e arsimit të lartë në vendet e tjera ndryshojnë edhe më shpejtë, është në normalitetin e ndërhyrjes dhe ndryshimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›