E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Kërkesat e PS-së, antikushtetuese”

Autori i Lajmit: S.T

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka folur në seancën plenare për zhvillimet e fundit politike në vend duke i cilësuar kërkesat e opozitës si absurde. Topalli, duke e quajtur fjalimin e saj si një komunikim për të sqaruar shqiptarët, theksoi se opozita është turrur kundër zgjedhjeve dhe institucioneve ligjore, gjë që sipas saj, nuk është dëgjuar në asnjë vend të botës, ndërkohë që zgjedhjet përmbushën standardet. “Kemi qenë me ju për 6 muaj, bashkë me të gjithë shqiptarët që dëgjojnë nga tribuna të ndryshme, në qytete të ndryshme, megjithëse me një pjesëmarrje krejt të reduktuar, ku ai akuzon Parlamentin, mazhorancën dhe u thotë se pse nuk ngrenë një komision hetimor për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit dhe pas 6 muajsh më dorëzohen dy dokumente në zyrat e Kryesisë së Kuvendit, njëra prej të cilave është një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, që thotë se ky komision të ngrihet mbi një draft. Si Kryetare e Kuvendit, unë kisha mundësi, bazuar te Rregullorja dhe duke i parë draftet që të dyja janë antikushtetuese, ti refuzoja, ti thosha merre mbrapsht, zotëri, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor”, - tha ajo. Megjithatë, Topalli fajësoi kryetarin socialist, Edi Rama, për gjithë situatën e krijuar. “Unë mendoj se axhenda e një njeriu të vetëm nuk mund të bëhet axhenda e gjithë kombit. Ne kemi axhendën tonë, atë që kemi vendosur në Konferencën e Kryetarëve dhe i qëndrojmë pikë për pikë. Do të votojmë datën 18. E sqaroj edhe një herë, megjithëse jam e sigurt se ata e dinë mirë se komisioni parlamentar do të fillojë punë javën e ardhshme, se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të respektohen deri në një, sepse shteti ligjor është themelor për një vend që tenton dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë BE-së”, - tha Topalli.
Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›