E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Këto janë kohë historike

Ky parlament hyn në sesionin parapërfundimtar të tij. Të mëdha e historike janë detyrimet që kemi plotësuar, por edhe sfidat që kemi përpara.

Jemi në kohë historike! Ky parlament, para vendit dhe historisë, është ftuar të përmbushë çdo detyrim, në mënyrë që ftesën, që Shqipëria mori në Bukuresht ta kthejë në anëtarësimin e plotë të vendit në NATO, të anëtarësojë Shqipërinë përfundimisht në aleancën më të madhe të lirisë së kohërave. Ta shndërrojmë një herë e përgjithmonë vendin tonë, nga një ndër më të pasigurtët në shekuj, në një ndër më të sigurtët në planet. Ishte ky parlament, me reformat e thella që miratoi, me frymën konsensuale që dëshmoi, me bashkëpunimin në emër të këtij procesi historik që vendosi, ai që luajti rol themelor në vendimin që morën 26 vende, anëtare të kësaj aleance, në Bukuresht. Por këto 26 vende që votëbesuan Shqipërinë dhe Reformat tona, presin nga ne që me reforma të tjera, të thella të miratojë anëtarësimin e plotë në Samitin e ardhshëm. E këtu, dëshmitë që kemi dhënë janë të mëdha. Së bashku, me konsensus ndërmorëm reformën më të madhe kushtetuese të vendit, me të cilën ne ndamë Shqipërinë nga fenomeni famëkeq i Dushkut. Ridimensionuam parlamentarizmin shqiptar, larguam krizat presidenciale, përcaktuam mandatet e institucioneve kushtetuese. Të gjitha këto përbëjnë bazën e një shteti modern, të denjë për anëtarësimin në NATO. Por këto janë reforma që detyrojnë një sërë reformash të tjera, të domosdoshme për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Këto janë kohëra historike.

Së bashku do bëjmë që Shqipëria të këtë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të vendosemi krahas demokracive të tjera, që janë ndarë me kohë nga zgjedhjet problematike. Së bashku, mazhorancë e opozitë, po punojmë për të ndërtuar një kod zgjedhor që do të jetë baza më moderne ligjore, ku vota e qytetarëve të ketë të gjitha garancitë që meriton e të dominojë mbi të gjitha interesat e tjera partiake. Unë kam besim të plotë se ky Parlament ka vullnetin e duhur për të mbyllur në kohë kodin elektoral. Koha është historike për shqiptarët dhe për këtë Parlament. Me reformat që do të miratojmë këtu, qytetarët shqiptarë të meritojnë të drejtën për të lëvizur lirisht si qytetarë të lirë të Evropës. Së bashku, ne kemi bërë ndryshime, kemi bërë shumë ndryshime. Kemi punuar fort, kemi debatuar fort, nganjëherë madje edhe shumë fort. Parlamenti, më në fund, është kthyer në arenën e diskutimeve dhe të vendimeve të forta, i reformave të mëdha, të rëndësishme dhe të domosdoshme. Në këtë sesion do të vazhdojmë të sulmojmë problemet në çdo front e, kështu të mundësojmë për një vit lëvizjen e shqiptarëve pa viza. Ne do ta realizojmë këtë.

Ne po jetojmë kohë historike.

Çdo brez sjell kontributin e vet. Çdo legjislaturë ka sfidat e saj, por ne jemi një legjislaturë e veçantë. Kjo legjislaturë ka qenë e bekuar, sepse në këtë sallë votuam MSA-në, pas nënshkrimit të saj në Luksemburg. Brenda pak javëve ratifikimi i kësaj Marrëveshje do mbyllet edhe nga dy Parlamentet e fundit që e kanë në proces. Reformat ishin thelbi i kësaj arritjeje. Por avokatia e deputetëve përmes diplomacisë parlamentare ishte një vlerë tjetër e shtuar.

Jemi në kohë historike, sepse Shqipëria u besua.

Ftesa nënkuptoi mbi të gjitha besim, besim te shqiptarët, besim për ne të gjithë. Ndryshime të reja të tjera do bëhen. Ngjarje të mëdha të tjera kemi përpara. Unë jam optimiste. Parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s kanë dërguar letra shumë inkurajuese për ratifikimin e protokollit të NATO-s. Unë i falënderoj të gjithë, por nuk mund të rri pa shprehur edhe një herë mirënjohjen për Presidentin Bush, për Senatorët demokratë e republikanë të SHBA-së dhe miqve të tjerë të vendit tonë. Për mua ky është një sesion shprese. Ky është një moment kur çështjet e mëdha mund të fitohen.

Ky vit do të jetë i jashtëzakonshëm.

Ky është viti i anëtarësimit në NATO. Ky do të jetë viti i standardeve perëndimore të zgjedhjeve. Ky do të jetë viti i heqjes së vizave dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve. Ky është viti i shqiptarëve. Ky është viti ynë, i ne të gjithëve.

Këto janë kohë historike! Unë ju uroj punë të mbarë!

Fjala e Kryetares së Kuvendit në hapjen e sesionit parlamentar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›