E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzojnë Pikason, vjedhin 2 milionë dollarë në Australi

Kanë lënë me gojë hapur jo vetëm autoritetet e policisë australiane, por edhe mbarë opinionin publik në këtë vend për vjedhjen e 2 milionë dollarëve. Por jo vetëm kaq, dy emigrantët shqiptarë do të bëheshin edhe më “të famshëm” në kontinentin e largët, kur gjatë një vjedhjeve në një vilë, nuk kishin preferuar të merrnin një tablo të Pikasos me vlerë 300 mijë dollarë. Gjithsesi, pas arrestimit të njërit prej tyre, 35-vjeçarit Ilir Hasaj, bashkëpunëtori tjetër, Arben Meniku, ndodhet në top-listën e më të kërkuarve në këtë vend dhe aktualisht kërkohet nga Interpoli në 44 vende të botës. Një gjë e tillë është publikuar dy ditë më parë në të përditshmen australiane, “The Sidney Morning Herald”, e cila ka trajtuar gjerësisht veprimtarinë kriminale të dy shqiptarëve. Sipas gazetës vendase, Hasa dhe Meniku kanë mundur të sfidojnë dhe sistemet më të avancuara të alarmit për të hyrë në vilat luksoze të njerëzve më të pasur në periferinë e lindjes. Por, duket se ata nuk kanë pikë shije nga arti, pasi në një prej shtëpive ata kanë pasur në mur një tablo të Pikasos me një vlerë prej 300 mijë dollarësh. E megjithatë, ata as që e kanë prekur duke marrë vetëm bizhuteritë që kanë gjetur në sirtarët e të zotëve të shtëpisë, si dhe disa sende të tjera lehtësisht të transportueshme. Artikulli citon se për pesë muaj me radhë në vitin 2005, dy të dyshuarit shqiptarë kanë grabitur plot 2 milionë dollarë pasuri në 35 shtëpi në zonat e Hauteurs de Dover, Vaucluse, Double Baie, Colline de Bellevue, Baie de Rose, Woollahra dhe në Bronte.

Ndërkohë që në fillim të vitit 2006, numri i shtëpive të plaçkitura arriti në 44 dhe vetëm në dy prej tyre u raportua vjedhja e 33 mijë dollarëve në cash, si dhe 180 mijë dollarë të tjerë në bizhuteri. Referuar raporteve të policisë, metoda e tyre e vjedhjeve ka qenë unike: zbrisnin nga çatia gjatë natës, pasi kishin thyer kapakun, hynin ngadalë duke mos rënë në sy nga sistemet e alarmit dhe në fund prisnin fijet e kamerave të survejimit që gjithnjë ndodheshin në një cep të tavanit të shtëpisë. Shpeshherë, ata nuk vidhnin me barkun bosh, por shijonin dhe ushqimin dhe pijet e shtrenjta që gjendeshin në ndonjë bufe apo raft frigoriferi.

Ndërkaq, veç specialitetit të tyre, bizhuterive, ata merrnin edhe kompjuterët, aparatet fotografikë, televizorët apo ç’mund të gjenin tjetër gjë të lëvizshme.

Nga ana tjetër, detektivët e lindjes së vendit që formuan posaçërisht për identifikimin e tyre skuadrën hetuese të “Sunny de Force de Greve”, kuptuan më në fund se dy bashkëpunëtorët “gjuanin” më së shumti personat që dilnin natën, që ndodheshin larg për një farë kohe apo shkonin me pushime, për t’u bastisur më pas shtëpitë. Në këtë mënyrë, askush nuk do ta kuptonte në çast se vilës së tyre i kishin mbetur vetëm muret.

Por duket se dy shqiptarët e kanë bërë “gafën” e madhe, kur një celular i vjedhur do të ishte zbuluesi i tyre, e për më tepër edhe ADN-ja e njëjtë e gjetur në të gjitha vendet e krimit. Me fakte të tilla në duar, gjykatësi Greg Bois në Gjykatën e Quartier de Centre de Downing e ka gjetur fajtor Hasën, duke e akuzuar për vjedhjen e 556.000 dollarëve. 35-vjeçari Hasa, që në atë kohë kishte një veturë superluksoze, është kapur gjatë kthimit të tij nga Australia në muajin qershor të vitit 2006. Në atë kohë, ai tha se ndodhej me pushime me bashkëkombësin e tij, Menikun, 43-vjeçar, dhe se nuk e kishin idenë se për çfarë bëhej fjalë. Policia kontrolloi telefonat e vjedhur që të dy kishin përdorur në pjesën më të madhe të vjedhjeve për të komunikuar mes tyre për fshehjen e bizhuterive. Por, Meniku mundi t’u shpëtojë prangave, pasi prej atëherë nuk shkeli më asnjëherë në Australi. Ai ndodhet në listën e më të kërkuarve të policisë së këtij vendi. Ndërkohë, për kapjen e tij, detektivi i policisë së Paddingtoni-t, Sam Crisafulli, u shpreh një ditë më parë se informacionet me të dhënat e shqiptarit i janë dhënë edhe zyrës së Interpolit, si “truri” i grabitjeve. Tashmë Meniku ndodhet në kërkim të 44 shteteve për vjedhje, megjithëse nuk përjashtohet mundësia se ai të jetë në Australi nën një identitet të rremë. Policia ka shpërndarë gjithashtu edhe fotografinë e Arben Menikut në mbarë vendin, dhe u lutet atyre që kanë informacione për vendndodhjen e tij të telefonojnë në numrin 1800 333 000 kundrejt një shpërblimi.

Shifra

300 mijë dollarë kushtonte tabloja e Pikasos, që dy shqiptarët nuk e morën në murin e shtëpisë që po grabisnin

44 vjedhje me përvetësimin e 33 mijë dollarëve në cash, si dhe 180 mijë dollarë në bizhuteri, janë kryer nga Hasa dhe Meniku, vetëm në fillim të vitit 2006

44 është numri i vendeve që janë vënë në kërkim të autorit të supergrabitjeve, Arben Menikut

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›