Vjeshtë përmbajtjesore politike
Gjatë gjithë verës është paralajmëruar herë nga opozita e (pa)konsoliduar, herë nga mediat se po vjen një vjeshtë e nxehtë politike, është “ba e gjetë” për një rrëmujë politike o ndonjë sensacion të mundshëm nga konfrontimet. Dhe pozita shihej se nuk shqetësohej nga këto shigjeta që mpriheshin kundër saj. Siç do të shohim më vonë, duket se kishte ca informacione, të cilat nuk i kishin mediat, apo druante t’i thoshte. Vjeshta po fillon me klimë të butë, gati verore, por ende nuk ka asnjë shenjtë se do të ketë debate të përflakura për problemet e mprehta politike, ekonomike dhe sociale. Për përballje ose për t’ia vënë në pah pozitës se ka qasje të gabuar ndaj problemeve të caktuara, apo se ka qasje të gabuar ndaj të gjitha çështjeve fondamentale duhet që opozita të ketë po ashtu argumente të kundërta me të cilat na e mbush mendjen, sikurse që e bën qeverinë të mendojë seriozisht në hapat e mëtutjeshëm. Po ashtu është me shumë rëndësi që opozita duhet të merret dhe t’i analizojë problemet fondamentale të shoqërisë sonë, duke mos u marrë apo duke u marrë fare pak me çështje të dorës së dytë që nuk çojnë peshë, që janë të parëndësishme dhe ajo që është edhe më shumë e vlefshme, duhet të mos rrëshqasë në margjinat e politikës. Për të pasur një qasje të këtillë opozita duhet të ketë program. Dhe a ka program opozita?
Kur i lexon vërejtjet e tyre për probleme të dorës së parë, por që të tilla dalin problemet e dorës së dytë, më shumë ke përshtypjen se kritikat bëhen sepse nuk janë në pushtet. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë, përkundrazi në shumë vërejtje kanë të drejtë, mirëpo në mënyrën se si i thonë, me tonalitetin e ngritjes së zërit shihet një nervozë e dukshme dhe një padurim, karakteristikë opozitare për të arsyetuar veprimin politik dhe për të joshur ndonjë simpatizues të mundshëm. Me fjalë të tjera, opozita e (pa)konsoliduar që të merret me probleme të mprehta ekonomike, me probleme të mëdha politike e sociale, duhet që të ketë program politik afatgjatë, program ekonomik të qëndrueshëm për të udhëhequr shtetin e jo sa për të joshur elektoratin, sepse këto programe nuk u bëjnë ballë ingranazheve shtetërore. Ndërkaq, një program të këtillë opozita nuk e ka. Nuk e kishte as në kohën kur bëri fushatë zgjedhore.
Dhe asaj s’ka pse i mbetet hatri, sepse program politik afatgjatë nuk ka as pozita, përkatësisht partitë në pushtet, kryesisht qeverisin e veprojnë nga rasti në rast dhe sot për nesër, pastaj reagojnë sipas shkulmave të çastit a rrymimeve të Lindjes a Perëndimit. Pra, ashtu sikurse që jemi të varur dhe fati ynë në të ardhmen është i përcaktuar nga numri i shteteve që do të na pranojnë për të hyrë në votime në OKB, sepse pastaj janë një varg i përparësive dhe mundësive të tjera, po ashtu jemi të varur e të kushtëzuar nga raportet e caktuara ndërkombëtare, bënë përpjekje që të dalë nga situatat e imponuara, të cilat nuk i krijon vetë. Deri më tash pjesa më e madhe e energjisë është shpenzuar në përpjekjet për pranim ndërkombëtar, pastaj në konfrontimet me UNMIK-un dhe në imponimin e kësaj organizate që s’do se s’do të largohet, edhe pse tashmë e ka kryer misionin e vet dhe duhet të mbetet relikte edhe për ndonjë muaj, nëse nuk i ka skaduar afati i qëndrueshmërisë. Pra, qeverisë në raportet e brendshme dhe në ato të jashtme ia krijojnë situatat të cilat ajo pastaj duhet t’i stabilizojë a t’i menaxhojë si duhet. Me fjalë të tjera, qeveria në pjesën më të madhe është bërë zjarrfikëse e problemeve politike, ekonomike e sociale.
Sikur të shpallen zgjedhjet e reja, të cilat me Pakon e Ahtisarit do të duhej të mbahen, është vështirë të thuhet se kush do të fitojë. Nuk e kemi ndërmend ta lavdërojmë koalicionin qeveritar, mirëpo as opozita nuk ka program që do ta nxirrte Kosovën nga gjendja në të cilën është. Askush nuk ka një vizion a pamje të qartë se si duhet të duket Kosova pas pesë ose pas dhjetë vjetësh. Ndërkaq, për këtë gjë duhet të këtë një program shumë të detajuar ekonomik, pra për makro dhe mikroekonominë, për infrastrukturën ligjore, për përgatitjen e mentalitetit dhe të terrenit për investime etj. Dhe për të bërë këtë gjë, sidomos për të joshur kapitalin e huaj, duhet që qeveria, pse jo edhe opozita, ta luftojnë së pari krimin e organizuar që i ka përfshirë gati të gjitha segmentet e shoqërisë e të institucioneve, të luftohet korrupsioni që është shumë i pranishëm, pikërisht nëpër institucione lokale e qendrore, madje biznesi i shëndoshë privat ankohet se korrupsioni institucional nuk po e le të çojë kokën, tenderat nuk bëhen sipas meritave e ofertave më të mira, por sipas ryshfeteve e lojërave të nëndheshme etj.
Pastaj gjyqësia e prokuroria janë bërë shembull të korrupsionit e të degjenerimit. Për problemet e mëdha që e kanë mbarsur gjyqësinë foli edhe Kryeministri në një rast, mirëpo nga posti në të cilin është ai, duhet të lëvizë të gjithë mekanizmat ligjorë e institucionalë dhe t’i shpallë luftë të hapur korrupsionit në këto institucione, të mos lërë gur pa lëvizur që ta bëjë situatën normale ose të durueshme, sepse nuk është në pozitën që duhet ta vajtojë, por ta luftojë korrupsionin. Dhe pa e luftuar korrupsionin, krimin e organizuar ekonomik e politik, është krejt e pamundur ta joshim investimin e jashtëm, sepse investuesit i druhen këtij fenomeni të shëmtuar të Lindjes, meqë pastaj krijohen në mënyrë zinxhirore një varg i problemeve të tjera.
Vjeshtë e nxehtë politike do të quhet ajo kur debatohet për problemet fondamentale, për problemet më të rëndësishme që e preokupojnë shtetin tonë të ri, të brishtë që mezi rri në këmbë dhe që nëse nuk përpiqemi ta mbajmë si duhet e ta vëmë në baza të shëndosha, do të rrënohet shumë shpejt. Natyrisht, pa përpjekjet tona të sinqerta e të shëndosha nuk mund të na ndihmojnë aleatët, në të cilët mbështetemi shumë, por që jo rrallë këtë e bëjmë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja ose për të fshehur paaftësinë tonë.