E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia fiskale

Dje Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi amnistinë fiskale. Gjobat do të falen 100 për qind, ndërsa kamatëvonesat 50 për qind. Amnistia në fushën e ekonomisë ka qenë prej vitesh një veprim i debatuar në të mirat dhe në rreziqet e tij nga shumë ekonomistë dhe studiues. Italia e ka kryer për herë të fundit një amnisti të pjesshme fiskale në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Franca dhe Gjermania po ashtu. Ndërsa në Amerikë amnistia i takon periudhës pas Al Kapones. Ndër shtetet e Ballkanit të ngjashme deri diku në zhvillimin ekonomik me ne, amnisti ka kryer Kroacia dhe po përgatitet ta bëjë Maqedonia. Lind pyetja:

A do t’i vlejë kjo amnisti fiskale Shqipërisë? Apo mos i mëson bizneset të shkelin ligjin, me shpresë se sërish, edhe kur të gjobiten prapë, shteti do t’ua falë dënimet? Si zor të ndodhë kjo e dyta tek ne. Shteti fiskal dhe kontrollet tatimore janë përmirësuar e bërë më profesionale, duke i lënë më pak hapësirë mundësive korruptuese. Tani loja për mashtrimin e shtetit mund të kryhet nëpërmjet deformimit apo depërtimit tek programet kompjuterike të regjistrimit të bizneseve dhe detyrimeve të tyre nga specialistë të teknologjisë së informacionit, dhe shumë më pak në kafenetë e bisedat kokë më kokë mes “miqve” pronarë e menaxherë biznesesh dhe nëpunës të administratës doganore e tatimore. Për pasojë, amnistia po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një shenjë e të fortit (pra shtetit të konsoliduar), jo si një cedim, lëshim i të dobëtit në hall. Prandaj dhe nga shumë analistë e vëzhgues të ekonomisë shqiptare, vendas e të huaj, amnistia fiskale pranohet si masë që do të sjellë dobi në përmirësimin e klimës së biznesit. E atëherë, cilat do të ishin këto avantazhe? Dihet historia konfliktuale e raporteve biznes-qeveri tek ne. Një pjesë e madhe e biznesit ka kundërshtuar shumë gjoba të vëna ndër vite, duke i etiketuar ato si politike apo të padrejta apo të shkaktuara nga paaftësia e gjobëvënësve, e nëpunësve tatimorë. Një kalvar më vete përfaqëson rendja e bizneseve në dyert e gjykatave, duke pritur me muaj të tërë për ndonjë vendim gjyqësor që do t’ua mundësonte shpëtimin nga arbitrariteti doganor apo tatimor. Ndërsa tani falja e gjobave shkarkon biznesin nga ajo barrë dhe stres i grumbulluar për shkak të presioneve shpesh jo tërësisht profesionale të shtetit (qeverisë) mbi ta në të shkuarën e afërt. Falja e detyrimeve nënkupton po ashtu se këtej e tutje kontrolli do të jetë tejet i rreptë dhe biznesit nuk do t’i falen lajthitje apo pakujdesi në plotësimin e detyrimeve fiskale. Nëse biznesi e shikon amnistinë fiskale si një dobësi apo lajthitje të qeverisë, do të gabohet rëndë. Zakonisht falja është vepër e të fortit. Pavarësisht se qeveria jonë dhe reparti i vet fiskal nuk mund ta quajnë veten “tërësisht të fortë” në ushtrimin e detyrave fiskale, sërish informatizimi i pagesave fiskale të bizneseve po e bën përherë e më të vogël mundësinë e manovrimit apo të shpëtimit nga detyrimi fiskal. Po ashtu, konsolidimi i qindra bizneseve dhe raportet e tyre të thelluara me partnerët e huaj i kanë mësuar kapitalistët vendas të shikojnë se është shumë më rehat të jesh në rregull me shtetin, sesa e kundërta. Kështu që teoria e “lugës së çorbës” është më se e kohës kësaj here. Pas amnistisë, biznesi e di mirë se nuk ka më “qofte tek daja”. Pra, nuk mund të mbështetet në korruptimin e një doganieri apo tatimori. Kjo, pse ndoshta mund t’ia hedhë një moment, apo edhe një apo dy vite. Por shkelja dhe mashtrimi ngelen të regjistruara në memorien kompjuterike tashmë dhe një herë ato do të dalin në sipërfaqe. Dhe bizneseve të konsoliduara nuk u intereson kjo mundësi, pse mund të damkosen për gjithë jetën. Tanimë emri dhe imazhi i mirë i një sipërmarrjeje ka rëndësi dhe për kompanitë e mëdha shqiptare dhe ato janë gati të mos pranojnë më “lugë çorbe të prishur”. Në këtë kontekst, amnistia fiskale është e mirëpritur. Dëmi që shkakton ajo në arkën e shtetit nga gjobat e paarkëtuara është shumë më i vogël se përmirësimi në imazh dhe në klimën e biznesit në Shqipëri.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›