E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA?



Presidenti amerikan, George Bush, nuk do të largohet nga posti deri në 20 janar 2009, por gara për pasardhësin e tij, që ka filluar kohë më parë, tani ka hyrë në fazën përfundimtare.

Partitë e mëdha, ajo Demokratike dhe Republikane, kanë emëruar tashmë zyrtarisht kandidatët e tyre në konventat përkatëse. Dita e zgjedhjeve presidenciale është 4 shtatori.

Votohet për Presidentin e 44-t të Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, do të mbahen zgjedhje dhe për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për një të tretën e Senatit. Merr pjesë në garë Partia Demokratike që ka zgjedhur Barack Obamën si kandidatin e saj - kandidati i parë me ngjyrë që emërohet nga partitë e mëdha. Partia Republikane ka emëruar John McCain, veteran i luftës në Vietnam. Nëse fiton, ai do të bëhej Presidenti më i moshuar që do të bënte betimin për mandatin e tij të parë. Zgjedhjet po ashtu janë për t'u përmendur dhe për faktin se kush nuk kandidon, është hera e parë që nga viti 1928 kur as Presidenti, as zëvendëspresidenti aktual, nuk e kërkuan kandidimin nga partia e tyre. Cila parti ka më shumë gjasa për të fituar? Shumica e votuesve nuk kanë opinione pozitive për Presidencën e Bushit. Ky fakt dhe gjendja e vështirë ku ndodhet ekonomia amerikane, duket se i jep një avantazh të madh demokratëve. Në një studim të Qendrës Hulumtuese Pew për projektimet afatgjata, të botuar në tetor të vitit 2007, thuhet se mbështetja për z. Bush gjatë katër vjetëve të fundit kishte rënë nga 50 për qind, në 30 për qind. Në të thuhet se avantazhi i demokratëve mbi republikanët, jo vetëm që është shumë i madh se katër vjet më parë, por është më i madhi i regjistruar gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Cilat janë çështjet kryesore të fushatës? Gjendja e ekonomisë është problemi më shqetësues për votuesit amerikanë. Iraku po ashtu, një çështje tjetër madhore, që i ndan kandidatët kryesorë. Z. Obama është për tërheqje të shpejtë të trupave amerikane, kurse z. McCain parashikon një tërheqje graduale me stabilizimin e situatës në vend. Përmirësimi i kujdesit shëndetësor është një objektiv madhor për demokratët, për republikanët ndërkohë është imigracioni. Çështjet sociale, si aborti apo martesa e homoseksualëve, duket se janë më pak të rëndësishme për votuesit nga ç'ishin në zgjedhjet e fundit në 2004-ën. Çfarë ndodh tani? Pas konventave të dy partive, nis fushata e vërtetë elektorale. Mes zhvillimeve më të rëndësishme do të jenë debatet televizive në 26 shtator dhe 7 e 15 tetor. Kandidatët, me gjasë, do ta përqendrojnë fushatën e tyre në shtetet kryesore që janë të pavendosura për të votuar për njërin apo tjetrin kandidat. Cilët janë këto shtete? Gjatë viteve të fundit, shumica e shteteve në bregdetin lindor dhe atë perëndimor të SHBA-së kanë votuar për demokratët dhe pjesa më e mirë e atyre që mbeten, për republikanët. Megjithatë, ka disa shtete që mund të anojnë si nga njëri kah, ashtu dhe nga tjetri. Mes tyre janë: Florida, Ohio e Pensilvania dhe shtete më të vogla si Colorado, Iowa, Michigan, New Mexico, Nevada, Virginia dhe Wisconsin. Z. Obama beson se mund ta sfidojë z. McCain në disa shtete që kanë qenë të sigurta për republikanët gjatë viteve të fundit, si Karolina e Veriut. Z. McCain beson se mund të fitojë në shtetin e Oregonit, që më parë ka votuar për demokratët. A fiton kandidati që merr më shumë vota? Jo domosdoshmërisht. Teknikisht, votuesit nuk marrin pjesë drejtpërsëdrejti në zgjedhjen e Presidentit. Ata zgjedhin ‘zgjedhës-persona’ që angazhohen të mbështesin një kandidat të caktuar dhe këta janë ata që e zgjedhin Presidentin. (Ka gjithsej 538 zgjedhës dhe shtetet e mëdha kanë më shumë se shtetet e vegjël). Në të gjitha shtetet, me përjashtim të shtetit Maine dhe të Nebraskës, fituesi i votës popullore merr të gjitha votat e kolegjit elektoral në atë shtet, edhe nëse avantazhi i tij është shumë i vogël. Kështu që mund të ndodhë që një kandidat të marrë më shumë vota nga kolegji elektoral sesa kandidati rival, por në shkallë kombëtare të marrë një përqindje më të vogël të votës popullore. A ka kandidatë nga parti të treta? Kandidati i pavarur, Ralph Nader, kandidon edhe në këto zgjedhje, si në ato pararendëset në vitin 2000 dhe 2004. I akuzuar nga disa demokratë, se ndau votën e qendrës së majtë në vitin 2000 duke i lejuar fitoren Presidentit George Bush, nuk pritet që ai të jetë faktor i rëndësishëm në garën e 2008-ës. Ka edhe një kandidat nga e djathta, Bob Barr, që përfaqëson në garë Partinë Libertariane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›