E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli-Klinton Mospjesemarrja e grave ne vendimmarrje kontradiksion me demokracine

Lidere gra nga e gjithë bota u mblodhën në Vilnius të Lituanisë në Forumin Botëror të nivelit te lartë, me temë “Gratë promovojnë demokracinë”, organizuar nga presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte e ftuar në këtë konferencë përkrah grave lidere si, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Zonja Hilari Klinton, Presidentja e Lituanisë, Presidentja e Finlandës, Presidentja e Kirgistanit, Presidentja e Kosovës, Presidentja e Mongolisë, Kryeministrja e Sllovakisë, Kryetarja e Parlamentit të Letonisë, etj.

Në fjalën e saj me temën “Gratë që frymëzojnë botën, të arrira, të pushtetshme, të barabarta”, Topalli tha se
“Liderja në fushën e letrave, poetja e madhe Maya Angelou në poezinë e saj thotë: “ Një zog nuk këndon sepse ka një përgjigje, ai këndon sepse ka një këngë.”

Çdo grua në këtë sallë, ka marrë me vete zërin e miliona grave të tjera. Ky zë, si vetë muzika inspiron.

Çështja e të drejtave të njeriut si muzika është universale, ndaj inspiron” .

Gjatë udhëtimit në shekuj gratë me përpjekjet e tyre, kanë hapur dyer, kanë krijuar modele suksesi.

Librat shkruajnë se: “Kur mbyllet njëra derë, hapet një tjetër. Por, njerëzit shpesh dhe me keqardhje shikojnë aq gjatë tek dera e mbyllur, saqë nuk e vërejnë atë që është hapur”.

Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar.

Çdo grua presidente këtu, çdo kryeministre, çdo ministre është si një portë e hapur”, tha kryetarja e Kuvendit.

Gjatë konferencës, kryetarja e Kuvendit u takua edhe me Sekretaren e Shtetit të SHBA, Hilary Klinton.

Topalli dhe Klinton në fjalën e tyre mbështetën të njëjtin qëllim dhe të njëjtin koncept se mospjesëmarrja e grave në vendimmarrje dhe demokracia kanë një kontradiksion.

Kjo konferencë kishte dy panele dhe kryetarja e Kuvendit ndërhyu me diskutimet e saj në të dy panelet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›