Topalli: Kosova përballë sfidave jo të lehta

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se kjo është një ditë historike dhe që vjen si rezultat i progresit që populli dhe klasa politike kosovare kanë bërë për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.
Sipas Topallit me fundin e pavarësisë së mbikëqyrur Kosova, shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë e saj si shtet.
“Kosova ka përpara vetes sfida që nuk janë të lehta, por jam e bindur se shteti i ri do të dijë t’i përballojë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur shënon fundin e autoritetit ekzekutiv të rezervuar të komunitetit ndërkombëtar, por jo fundin e mbështetjes së këtij komuniteti për Kosovën”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit, raporton noa.al.
Ndër të tjera Topalli nënvizon se Kosova plotësisht e pavarur është një garanci më shumë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, ku shton se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në hapat e saj të parë si shtet plotësisht i pavarur në rrugën e saj të konsolidimit dhe të integrimit në strukturat Euro-Atlantike.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, vendim i cili u përshëndet edhe nga presidenti Barack Obama.