Topalli: Më 23 qershor, shqiptarët do rrëzojnë pengesën europiane
Festohet 22 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike në Tropojë
Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ishte e ftuar në festën e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Tropojë. Në pallatin e sportit të mbushur plot, ajo tha se fitorja e 23 qershorit do të jetë një fitore e thellë, sepse ne jemi ndryshimi, sepse ne duam një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri që ecën përpara. “Partia Demokratike është parti e vizionit. Partia Demokratike është parti e flamurit, e misioneve të mëdha, e rrugëve të vështira, e ngjitjeve drejt lartësive. Është parti e shpirtit të kombit, është historia e udhës sonë, e fitores, e suksesit. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve me premtime të mbajtura. Në mandatin e ardhshëm shqiptarët do të bëjnë të mundur që të heqim pritën e fundit të pabesisë që Edi Rama ka vendosur përpara ëndrrës së shqiptarëve. Ajo është prita e fundit dhe fundosja e njeriut që tenton të pengojë ëndrrën tonë për t’u bashkuar me familjen europiane. Ne do fitojmë, sepse kur fiton Partia Demokratike, fiton Shqipëria, fiton kombi, fitojnë shqiptarët. Ne do të bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Fitore në 2013!”, tha Jozefina Topalli, duke falënderuar çdo shqiptar, çdo demokrat, çdo qytetar të Tropojës për mbështetjen, për dashurinë ndaj kombit.
Duke përkujtuar 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Topalli tha se PD është parti e vizionit, e fitores dhe e suksesit.
“Ditëlindja është një ndër momentet më të bukura, ndër festat më të ëmbla, më të veçanta. Sigurisht kur bën 20 vjeç është bukur, 22 vjeç është një moshë e mrekullueshme. Partia jonë është parti e re. Partia jonë është parti e vizionit. Partia jonë është parti e flamurit. Partia jonë është parti e misionit, e misioneve të mëdha, e rrugëve të vështira, e ngjitjeve drejt lartësive. Partia jonë është parti e shpirtit të kombit. Partia jonë është historia e udhës sonë, e fitores, e suksesit. Ashtu si e thanë edhe kolegët e mi përpara, ne sapo kemi mbyllur festimet e 100-vjetorit. Secili prej nesh ka pasur një reflektim: Cilët ishin këto 100 vite? Çfarë ishte ky jubile për ne? Ne pamë se 28 nëntori i këtij viti ishte një lëvizje kombëtare, një vetëdije e thellë e shqiptarizmit, një vetëdije e madhe e vështirësive të historisë sonë, një dëshirë e pandalshme për të qenë ashtu si thotë Kryeministri shqiptar ‘të bashkuar me njëri-tjetrin, të bashkuar në Europë’. Ne jemi shqiptarë. Ne kemi një identitet të fortë. Ne kemi një ëndërr. Ne duhet të jemi bashkë aty ku është ëndrra jonë”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit bëri dhe një retrospektivë dhe specifikoi arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e PD-së, siç janë anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi ekonomik.
“A nuk dukej vetëm pak vite përpara gati e pamundur që ne shqiptarët të ishim anëtarë të NATO-s? A dukej gati e pamundur që ne shqiptarët të mund të hynim në lëvizjen e lirë dhe të lëviznim pa viza në të gjithë Europën? Pa të pyesim veten: A dukej vetëm pak vite përpara që ishte e pamundur që infrastruktura jonë në Shqipëri të ndryshonte me një ritëm të tillë siç ka ndodhur tek ne? A dukej e pamundur që kur e gjithë bota është në krizë, Shqipëria nuk është në recesion?”, theksoi Topalli.
Kryeparlamentarja iu referua dhe pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si kurorëzim të përpjekjeve të shqiptarëve, për liri dhe pavarësi.
“A dukej e pamundur që Kosova të ishte e pavarur? Kush e dinte se do të ndodhte ajo lëvizje kombëtare më 28 nëntor? Të gjithë lumë u lëshuat në rrugët e Shqipërisë; në Bajram Curri, në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren, në Vlorë, në Shkodër, në Tiranë por edhe në çdo qytet, aty ku ka pasur shqiptarë, në vendet e Europës është ngritur flamuri shqiptar. Nuk ka flamur më të bukur se flamuri shqiptar. Nuk ka flamur më të drejtë se sa flamuri shqiptar. Nuk ka flamur ku të shkruhet më thellë se kudo tjetër besa, qëndresa, lufta, e drejta e shpresa. Ndodh shpesh që në këtë rrugë të vështirë të të sulmojnë. Por suksesi nuk sulmohet. Suksesi vetëm celebrohet dhe ne ja kemi dale. Nuk ekziston një vend tjetër që të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë në një kohë kaq të shkurtër siç e kanë bërë shqiptarët. Jemi shqiptarë dhe jemi krenarë. Jemi shqiptarë dhe jemi besimtarë. Jemi shqiptarë dhe ne ia dalim”, deklaroi më tej kryetarja e Kuvendit.
Në ceremoninë festive të 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Tropojë, ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, deputet i Qarkut, Flamur Noka, deputeti Besnik Dushaj e përfaqësues të pushtetit lokal.
...