Topalli: “Më ka munguar opozita në Kuvend”
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ftoi në mënyrë të përsëritur deputetet socialistë të kthehen në Parlament edhe pse bëri të qartë se mazhoranca nuk ka asgjë për të shtuar në ofertën e saj disamujore. “Ftoj deputetët opozitarë të jenë prezent në sesionin e dytë ku do të bëhet e mundur lëvizja pa viza”, - tha kryeparlamentarja. Më tej në një konferencë shtypi ku analizoi ecurinë e punës së Kuvendit në sesionin e parë, kryeparlamentarja i është përgjigjur letrës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, në të cilën ai i kërkonte Kuvendit mosmiratimin e ndryshimeve ligjore që, sipas tij, i japin Inspektoratit të Ndërtimit, autoritet mbi gjykatat dhe Kushtetutën e vendit. Madje, ajo sqaroi më tej se nuk do të lejohet përsëritja e rastit të Gjirokastrës kur u shemb një pallat për shkak të punimeve, duke paralajmëruar miratimin e projektligjit të ardhur nga Qeveria.
Deklarata
Topalli ftoi konkretisht kreun e PS-së, Edi Rama, që të mos pengojë deputetët të hyjnë në Kuvend. Lidhur me letrën që kryebashkiaku Rama i ka drejtuar Kuvendit për propozimet në ligjin mbi Inspektoratin e Ndërtimit, Topalli tha se “këtë ligj opozita duhet të vijë dhe ta diskutojë në Parlament, por ajo çka ndodhi me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më”, - tha ajo. Më tej Topalli ka vlerësuar sot punën e Kuvendit për sesionin legjislativ për vitin 2009 ku ka përsëritur ftesën për Partinë Socialiste që të rikthehet në Kuvend dhe ka uruar që kjo të ndodhë në dy muajt e parë të vitit 2010. “Opozita ka një rol shumë të madh dhe duhet të rikthehet në Kuvend pasi duhet të shpalosë këndvështrimin e votuesve të saj për ligj që diskutohet në sallë”, - pohoi Kryeparlamentarja ndërsa vlerësoi se puna e Kuvendit ka qenë e suksesshme pavarësisht mungesës së opozitës. Ajo theksoi 70 ligjet e miratuara në këtë sesion parlamentar, të cilët kanë qenë të rëndësishëm në proceset e integrimit. “Fakti që ne kemi kaluar shumë ligje të rëndësishme, si ligji Antimafia, për të cilin jemi shumë krenarë, kemi miratuar dërgimin e forcave të armatosura në Afganistan, kemi vepruar pra si një vend partner i NATO-s, kjo do të thotë se kemi funksionuar”, - tha ajo. Sipas Topallit, Kuvendi ka vepruar në mënyrë demokratike dhe shprehu bindjen se në dy muajt e parë të vitit 2010, opozita do të bindet dhe do të kthehet në Kuvend. “Shpreh shqetësim që opozita mungoi në këtë sesion kaq të rëndësishëm. Por sfida dhe reforma na presin për vitin 2010. Unë ftoj Kryetarin e PS të mos i pengojë deputetët për të kryer punën e tyre, populli kërkon të dëgjojë mendimin e tij në Parlament, dhe uroj që ata të rikthehen në Kuvend në muajt e parë të vitit 2010”, - ritheksoi Kryetarja e Kuvendit. Topalli theksoi se mungesa e opozitës gjatë këtij sesioni solli mungesën e propozimeve kundërshtare që, sipas saj, janë shumë të vlefshme në Parlament. Dhe duke sjellë momente nga puna e saj si deputete e opozitës, Topalli tha “personalisht mendoj se opozita është një pushtet i jashtëzakonshëm. Kam ndenjur 8 vjet në opozitë dhe e di mirë sa i rëndësishëm është roli i opozitës, ndaj u bëj ftesën se ata duhet të vijnë të shpalosin këndvështrimin e tyre opozitar. Prej 15 vjetësh jam në Parlament dhe e vlerësoj rolin e opozitës, ndaj nuk përjashtoj rastin e tyre”. Sipas Topallit, detyrat janë të ndara, mazhoranca duhet të qeverisë vendin dhe opozita për të bërë opozitën. E pyetur nëse ka sinjale se socialistët do të rikthehen në Kuvend, Topalli u shpreh se reformat që e presin vendin janë shumë të rëndësishme dhe opozita duhet ta kuptojë njëherë e mirë rolin që i takon.
“Djegia e mandatit, do të zbatoj ligjin”
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka paralajmëruar përsëri socialistët se mungesa e vazhdueshme mund ta çojë atë së shpejti në një vendim për largimin e deputetëve që bojkotojnë punën e Kuvendit dhe zëvendësimin e tyre. “Unë, si Kryetare e Kuvendit, dëshiroj që zoti Rama ti lejojë të vijnë në Parlament dhe apeli është për zotin Rama ti lejojë deputetët të vijnë dhe të ushtrojnë mandatin e tyre. Ti lejojë deputetët që të vijnë dhe të sjellin këndvështrimin opozitar në Kuvendin e Shqipërisë. Ti lejojë deputetët që të përcjellin mendimin e të gjithë votuesve socialistë, të cilët më 28 qershor kanë votuar që Partia Socialiste të bëjë detyrën e shenjtë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të opozitës. Si Kryetare e Kuvendit kam për detyrë të garantoj çdo deputet, siç e përcakton Kushtetuta dhe ligji mbi të cilin funksionon Parlamenti, ata do të kenë të gjithë hapësirën për të realizuar dhe për të bërë të mundur detyrën dhe misionin e tyre si opozitarë”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009