E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Takimi Hrushov-Tito, Rusia premton rrëzimin e Hoxhës”

Autori i Lajmit: Androkli DraloBukuresht, 7 gusht 1957 - Nuk ka ende asnjë informacion të qartë për ndonjë marrëveshje që mund të jetë arritur mes zotërinjve Hrushov dhe Tito gjatë takimit të tyre javën e kaluar në Rumani. Një takim ky, i cili kishte për qëllim që udhëheqësit komunistë të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë të kërkonin të “normalizonin” marrëdhëniet pas prishjes me Hungarinë, menjëherë pas goditjes së befasishme të Hrushovit në Kremlin. Por takime të tilla janë zhvilluar edhe më parë, përfshirë atë ku vetë Hrushovi u shfaq për një kohë të shkurtër, sikur kishte përqafuar titizmin. Në çdo takim janë rishfaqur dallime thelbësore. Do të ishte e palejueshme ta arrije në përfundimin se kësaj here Josif Tito mund të bënte hapa pas në kampin sovjetik, edhe sikur të donte ta bënte. Që Titoja ka ndjerë siklet në pozicionin e tij gjysmë të izoluar dhe ka kërkuar marrëdhënie më të mira me Moskën, bazuar në barazinë brenda orbitës komuniste, ka qenë e dukshme për një kohë të gjatë. Dhe për të arritur një marrëveshje të tillë, Tito mund të jetë i gatshëm të bëjë lëshime të rëndësishme. Para së gjithash, pavarësisht ndarjes që Jugosllavia dhe Rusia patën për taktikat që do të përdoreshin në Hungari, Tito madje arriti deri në pikën sa e justifikoi ndërhyrjen e dytë sovjetike si një nevojë për të shpëtuar socializmin megjithëse kritikoi edhe një herë tjetër ndërhyrjen e parë. Për disa kohë, jugosllavët kanë thënë se raporti i Kombeve të Bashkuara për Hungarinë nuk ishte frytdhënës në lehtësimin e tensioneve. Muajt e fundit, Jugosllavia ka pranuar më shumë apo më pak linjën sovjetike të politikës sovjetike në shtetet arabe dhe Izrael. Mendoni sikur Hrushovi tani të ketë dalë në përfundimin se Titoja kishte të drejtë për domosdoshmërinë e shtendosjes së marrëdhënieve me satelitët, diçka që Hrushovi e pranon si një këshillë të drejtë të Titos (edhe pse mund të jetë e bezdisshme) për krijimin e këshillave të punës, e cila në Jugosllavi ka pasur një farë popullariteti. Ndërsa Titoja nga ana e tij mund të bëjë disa “dhurata” falënderimi. Reporteri Çalmers Roberts, ka njoftuar për një informacion shumë interesant ku thuhet se Hrushovi mund të ketë rrezikuar për rivendosjen e qeverisë së Imre Nagit në Hungari. Kjo do të përbënte një pohim të jashtëzakonshëm, por edhe logjik njëkohësisht nëse Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike nuk është peng i propagandës së tij për zanafillën perëndimore të revoltës hungareze. Kjo do ti shkonte për shtat me takimin e Bukureshtit, ku thuhet se Nagi është ndaluar të marrë pjesë, por gjithashtu dhe me përpjekjet jugosllave për të zbutur impaktin e raportit të Kombeve të Bashkuara. Por një veprim i tillë do të shpëtonte njëkohësisht dhe krenarinë jugosllave, që prej kohës kur Nagi u “rrëmbye” nga rusët prej përkrahjes jugosllave. Megjithatë, edhe pa një lëvizje të tillë kaq të madhe, Hrushovi mund të jetë në gjendje që të kënaqë Titon dhe me një kosto relativisht më të vogël. Rinisja e dhënies së ndihmës së ndërprerë sovjetike do të ishte, pa dyshim, një karrem shumë i dobishëm (edhe pse realizimi i saj është ende larg). Por dhe përmbysja e regjimit të Hoxhës mund të ishte një detyrë që mund të kryhej pa ndonjë sforco të madhe. Ky i fundit, ka qenë një ndër kundërshtarët kryesorë të udhëheqësit jugosllav. Hrushovi mund edhe të ketë nxitur dominimin jugosllav në satelitët e Ballkanit, të cilët kanë qenë gjithnjë një aspiratë e Titos. Për më tepër, përjashtimi i Molotovit, i cili ka qenë veçanërisht një i urryer për jugosllavët, mund ti ketë dhënë mundësi Nikita Hrushovit të gjejë një kokë turku për shqetësimet e së shkuarës. Sado që këto lëvizje mund të sjellin rezultate shumë të vogla për sa i përket shkallës së lirisë në satelitët komunistë, ato nuk do të ishin domosdoshmërisht të parëndësishme nga pikëpamja e Perëndimit. E megjithatë, pavarësisht një marrëveshjeje të tanishme, a ka ndonjë njeri që të besojë se ka ndonjë shkak të vërtetë që Hrushovi të vazhdojë të tolerojë ende Titon për sa i përket barazisë? Ne dyshojmë tek kjo. Barazia dhe pavarësia, të cilat janë shndërruar në një pasion të flaktë në Jugosllavi, kanë të bëjnë me të drejtën e komunistëve jugosllavë për ta interpretuar Marksin sipas mënyrës së tyre, jo përmes Moskës. A mund Hrushovi, fuqia e të cilit, me sa duket, po rritet në mungesë të Bulganinit, duhet pranuar se është një tjetër version i ungjillit komunist? Nuk ka dyshim që interesat e Hrushovit dhe Josif Titos ndonjëherë do të jenë edhe të njëjta. Që të dy ata janë të shqetësuar për tu mbrojtur kundër tradhtarëve ideologjikë si Milovan Gjilasi, i cili këto kohët e fundit po i sjell shumë probleme Titos. Por ende, ndërsa Hrushovi kërkon më shumë fuqi, forcat që krijohen me bindjen e ekzistencës së një absolutizmi të pastër po rriten dita-ditës. Është shumë e vështirë për tu besuar se të gjitha tendencat imperialiste sovjetike janë shuar papritmas. Edhe pse Hrushovi mund të jetë një ideologjist pragmatist, mendimi i Titos, kryetarit të vetësigurt të një shteti të vogël, i cili guxon të kërkojë barazinë me mantelin e trashëgimtarit të Leninit mund të bëhet goxha i padurueshëm. Asnjë histori nuk ka ekzistuar për kaq gjatë në kohë ku dy profetë rivalë, të të njëjtit ungjill, kanë bashkëjetuar në parimin e barazisë.

Rezultatet

Takimi Hrushov-Tito në Rumani (më 2 dhe 3 gusht) ka dhënë frytet e tij të një afrimi gjithmonë e më të madh, i cili kulminoi më 15 tetor me njohjen e shtetit komunist të Gjermanisë Lindore nga Titoja. Tani, sidoqoftë, një sulm i ri botuar në numrin e datës 20 tetor të “Borbës” ndaj Sekretarit I të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës, ka ngritur edhe një herë tjetër problemin se deri ku ka qenë limiti i Titos për të mos u konfliktuar hapur me vendet komuniste të bllokut sovjetik. Pjesa më e madhe e gazetave perëndimore e kanë interpretuar njohjen e Gjermanisë Lindore si provën kulminante të marshit mbrapa të Titos për statusin e një sateliti sovjetik. Që prej njohjes së Gjermanisë Lindore nga Titoja erdhi një periudhë përmirësimi gjithnjë e në rritje e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, nga ku nuk është bërë asnjë kritikë e çfarëdollojshme jugosllave për politikat e Moskës, dhe duket shumë e natyrshme të mendosh se lëvizja e Titos ka ardhur pas një kërkese të Hrushovit që të publikonte njëherazi sulmet mbi Gjermaninë Perëndimore dhe Shqipërinë. Kështu regjimi jugosllav do të kërkonte qëllimisht që të minonte këtë kapardisje të tyren ndaj nënshtrimit të Moskës. Duke vendosur një lloj “balance” mes kritikave të Perëndimit dhe Lindjes, udhëheqësit jugosllavë janë përpjekur ti provojnë popullit të tyre gjithashtu, se Jugosllavia po sulmohet pa të drejtë si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja, për shkak të politikave të saj “jashtë bllokut” dhe të mosrreshtimit.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›