E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 Shumaker, kontratë 3-vjeçare me njëvendëshen e argjendtë

Autori i Lajmit: RedaksiaGjermani - Spekulimet morën fund, tani është zyrtare. Atë çka lajmëroi të martën mbrëma prestigjiozja gjermane “Bild” u konfirmua një ditë më pas nga vetë protagonistët: Në 2010-ën Mikael S0humaker do të garojë në Formula 1 me njëvendëshen e Mercedes GP-së. Zyrtarizimi u bë në orën 11:33 të ditës së djeshme nëpërmjet një telekonference nga Brackley, qendra e të sapolindurës Mercedes GP (ish- Braun GP). Lajmi u dha nga Norbert Haug (përgjegjësi i “Motorsport Mercedes” dhe Ross Braun (përgjegjësi i skuderisë së re dhe Mikael Shumakerit). Në fakt “martesa” midis Shumit dhe Mercedesit, nuk është njëvjeçare, ashtu siç kishin lajmëruar mediat ditë më parë, por trevjeçare. Ish-piloti i Ferrarit, shtatë herë kampion Bote, i larguar nga garat e Formulës 1 më 2006-ën, do të ketë si shok skuadre bashkëkombasin e tij, Nico Rosberg (24 vjeç).
Tre vjet
“Së bashku me Mercedes GP-në kemi vendosur që të garoj për tre vjet”,- tha Shumakeri. Pas zyrtarizimit të kontratës me Mercedesin, piloti gjerman menjeherë shpjegoi arsyet e rikthimit të tij: “Ross Braun dhe Mercedesi, ky kombinim që askush nuk e kishte menduar, më entuziazmon shumë. Në këtë mënyrë unë do të mundohem ti kthej një favor shtëpisë automobilistike nga Stuttgarti (me veturat e së cilës Shumakeri filloi të garonte). Ofertës së tyre nuk mund ti përgjigjesha negativisht”,- deklaroi Shumi. 7 herë kampioni i Botës në Formula 1 shtoi se “këtë vendim e kam marrë me konsensusin e plotë të gruas sime, Korinës. Ajo, sapo pa dritën e syve të mi, kur unë bisedova për këtë çështje, kuptoi gjithçka dhe më dha menjëherë të gjithë mbështetjen e saj”. Përse rikthehesh? “Në fund të 2006-ës isha shumë i lodhur dhe nuk kisha më energji që të vazhdoja më tej. Më pas gjatë një periudhe të gjatë kohe pata mundësi që të rikuperoja gjithçka duke garuar me motorë dhe makina kart. Ndërsa tani pranova ofertën e Ross Braunit. Tani ndihem si një djalë 12-vjeçar që shijon deri në maksimum çdo xhiro që bën”,- shtoi Shumi duke deklaruar se nuk pretendon të bëhet numri një i skuadrës së tij të re: Këtë gjë asnjëherë nuk e kam bërë, unë asnjëherë nuk e kam kërkuar”. Rreth problemeve fizike legjenda gjermane e Formulës 1 tha: ”Qafa nuk është më problem. Verën e kaluar kisha shumë pak kohë në dispozicion që të rikuperoja dëmtimin që pësova nga rrëzimi nga motori, por tani që kaloi shumë kohë, gjithçka është si më parë. Kur i thashë jo Ferrarit u ndjeva shumë keq. Nuk dija nëse do të mund të rikthehesha në Formula 1 apo jo. Por tashmë jam i sigurt, unë mund të marr pjesë në këtë Botëror dhe nuk kam asnjë dyshim që të luftoj për vendet e para”.
I ka “skaduar” patenta
Shumakerit i duhet të ribëjë super patentën me qëllim që të mund të garojë sërish në F1. Licenca e pilotëve skadon në fakt një vit pas garës së fundit. Hera e fundit kur gjermani i ka dhënë makinës në pistën e F1 ka qenë më 22 tetor 2006 në Sao Paolo. Rregullorja e FIA-s nënvizon në apendiksin L, pika 5, ekzaktësisht kushtet për të lëshuar superlicencën. Sipas pikës 5.1.2 a), një pilot mund të garojë në F1 nëse ka marrë pjesë minimalisht në 15 gara në tre vitet e fundit. Verën që shkoi, kur duhet të merrte vendin e Masës, Shumi mund të bazohej akoma tek kjo pikë e rregullores, kurse tani nuk mund ta bëjë se ka kaluar shumë kohë. FIA precizon se këshilli i botërorit në bashkëpunim me komisionin e sigurisë mund të lëshojë superlicencën në mënyrë të jashtëzakonshme. Kërkesa duhet të bëhet të paktën 14 ditë para garës së parë që është e programuar për 14 mars në Bahrein.
Reagimet
Jean Todt (president i FIA-s), nuk mori asnjë pozicion: “Shumi bën pjesë në familjen time, do të ishte pavend, nëse unë do të flisja për zgjidhjen e tij duke ditur edhe lidhjet që kemi me njëri-tjetrin”. “Shumaker nuk do të kthehet vetëm për të garuar ai është kthyer për të fituar”. Ky ishte komenti i ish-pilotit të Ferrarit, Niki Lauda, që flet mbi rikthimin e Mikael Shumakerit. “Ai mund të fitojë, – shpjegoi tre herë kampioni i Botës për radion publike, Radio Vienna, – sepse ai ka potencialin e duhur për të bërë diçka të tillë, ai ka diçka më tepër se sa rivalët tij të ri”. “Rikthimi i Mikaelit në botën e Formulës 1 është diçka fantastike”. Ky është komenti i Luis Hamiltonit, i cili do të mund të përballet me shtatë herë kampionin e Botës për herë të parë këtë vit. “Ai është një legjendë, një person i mrekullueshëm. Unë jam i lumtur që ai do të ketë mundësi të kryejë punën më të bukur në botë, të rikthehet të garojë në Formula 1. Kur isha i vogël teksa shihja Shumin duke garuar shpresoja që edhe unë të futesha në botën e Formulës 1 dhe të garoja më të. Ky lajm është shumë i mirë për mua, i uroj shumë fat”. “Rikthimi i Mikaelit është diçka fantastike. Për mua është një nder i madh që do ta kem si shok skuadre”. Kështu e komentoi Niko Rosberg “martesën” Shumaker-Mercedes. “Fakti që do të jem në një kompeticion me një nga pilotët më të mëdhenj të të gjitha kohërave është një sfidë e madhe për mua. Jam shumë i sigurt që së bashku me Shumin do të formojmë një dyshe shumë të fortë pilotësh. Unë jam i sigurt se ai nuk ka humbuar asgjë, ai është një pilot shumë i shpejtë. Rikthimi i tij është një lajm i mirë për tifozët dhe vetë botën e Formulës1”, - përfundoi Rosberg. “Mikael Shumaker do të kthehet tek fitorja, është një pilot, cilësitë e të cilit nuk mund të vihen në dyshim. Fitorja e tij përforcohet edhe nga fakti që do të jetë në skuadër me Ross Braun, teknikun e tij tek Ferrari, dhe me të cilin ka fituar më shumë". Këtë e ka thënë ish-piloti i Ferrarit, Jean Alesi. “Zgjedhja e Mikaelit për tu kthyer tek Mercedesi nuk varet nga mundësitë për të pasur një makinë fituese, sepse në sezonin e ardhshëm jam i sigurt që edhe Ferrari do të kthehet të jetë një veturë shumë garuese. Ka shumë mundësi që të ketë qenë prezenca e Ross Braunit që e ka bindur gjermanin të hapë një faqe të re në karrierën e tij me veturën gjermane. Unë, gjithsesi, nuk kam kuptuar pse duke pasur në dispozicion mundësinë për tu kthyer tek Kokëkuqja, ai zgjodhi kalimin tek Mercedesi”,- ka shtuar Alesi. Nënkampioni i Botës, Sebastian Vettel, nuk e ka frikë rivalin e ri: “Çfarë duhet të them? Kjo çështje nuk ka shumë lidhje me mua”. Vettel tregohet i sigurt se nga këndvështrimi i përgatitjes fizike, Shumi do të jetë gati: “Mikael është një profesionist që di si të përgatitet”.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›