E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët-Ina Ramës: “Zbardh vrasjen e Fatmir Xhindit”

Autori i Lajmit: Ornela ManjaniNjë ditë pas deklaratës së shefit të hetimit të krimit për renditjen në krye të listës së zbardhjes të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, banorët e Roskovecit dërgojnë peticion në prokurori. Përfaqësues të banorëve të zonës, të cilët për tri legjislatura zgjodhën Xhindin ti përfaqësonte në Kuvend, kanë dorëzuar dje peticionin me 1500 firma ku i kërkojnë Ina Ramës angazhimin më të madh të strukturave të prokurorisë për zbardhjen e krimit të ndodhur natën e 2 majit pranë banesës së tij në Roskovec.
Peticioni
Rreth 7 muaj pas vrasjes së ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, banorët e Roskovecit të qarkut të Fierit kërkojnë zbardhjen e krimit të ndodhur më 2 maj 2009. Mystehak Haxhia, banor i zonës, dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme peticionin e firmosur nga 1500 bashkëfshatarë të ish-deputetit socialist. “U bënë kaq muaj që kjo ngjarje nuk është zbardhur. Me këtë peticion kërkojmë nga Prokuroria të angazhojë më tepër strukturat e saj për zbardhjen e vrasjes”,- deklaroi Mystehak Haxhia pas dorëzimit të peticionit në organin qendror të akuzës. Në peticion banorët theksojnë se institucionet e drejtësisë janë të vonuara në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe kërkojnë reagimin e tyre.
“Duke dëgjuar ish-ministrin e Rendit që deklaroi pak ditë më parë se zbardhja e vrasjes së Xhindit është çështje ditësh, pritëm se mos zbardhet ndonjë e vërtetë, por realisht jo. Ndaj kemi ardhur këtu me këtë peticion, tia dorëzojmë prokurores së Përgjithshme”,- vazhdon më tej Mystehak Haxhia, i cili shpreh dhe indinjatën dhe sensibilitetin e komunitetit për moszbardhjen e vrasjes.
Protesta
Vetëm pak kohë më parë, qindra banorë të Roskovecit, të afërm dhe familjarë të ish-deputetit Fatmir Xhindi, kërkuan zbardhjen e vrasjes. Djali i madh i familjes i ka kërkuar drejtësisë shqiptare të hedhë dritë mbi motivet dhe të vërë në pranga autorët e vrasjes së babait të tij në 6-mujorin e vdekjes. Protestuesit kanë qëndruar për 2 orë me radhë në sheshin e qytetit dhe në mënyrë paqësore i kanë bërë apel prokurorisë dhe policisë për arrestimin e autorëve.
Vrasja
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi, u vra më 2 maj të këtij viti pranë banesës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të asaj kohe, dhe që prej atij momenti askush nuk di cilët janë autorët. Deputeti kishte qenë në një takim paraelektoral dhe më pas kishte punuar për të prerë barin në tokën e tij, në periferi të Roskovecit dhe ka pirë një kafe në një kafene që e frekuentonte shpesh. Policia sekuestroi rreth 16 gëzhoja të qitura në një rreze mjaft të gjerë, si dhe një pako me paracetamol. Edhe pse organet e specializuara kanë vijuar hetimet gjatë gjithë këtyre muajve, ende nuk është arritur në etiketimin e një të akuzuari për këtë ngjarje. Shumë persona janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmi, por askush nuk ka deklaruar gjer më sot se kush mund ta ketë vrarë Fatmir Xhindin. Rreth krimit u hodhën shumë hipoteza nga Prokuroria, por fakti që nuk është arritur tek autori, e bën të dyshimtë çdo hipotezë për vrasjen e ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Nga pistat për pronësinë, prokuroria u përqendrua më pas dhe në vrasjen për motive banale.
Prokuroria
Ndërkohë që pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se nuk kishte asnjë person të dyshuar për ngjarjen dhe se pistat e fundit që kishin mbetur në hetim nuk kishin thuajse asnjë provë mbështetëse në informacionet e provat e grumbulluara nga policia për këtë çështje. Hetimi në fjalë është shoqëruar edhe me përplasje mes policisë dhe Prokurorisë, pasi Krimet e Rënda kërkonin prova e dëshmi për vrasje për shkak të detyrës, ndërsa policia referonte në Prokurori informacione dhe letra anonime për vrasje për shkaqe personale.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›