Intervista Topi: PD dhe PS më përjashtuan me kodin e zgjedhjeve
Autori i Lajmit: RedaksiaPresidenti i vendit Bamir Topi ka deklaruar lidhur me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive se, e ka shprehur një herë qëndrimin e tij për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke folur ne emisionin “Top Story” në Top Channel, kreu i shtetit është shprehur se qëndrimi i tij ndaj procesit zgjedhor është i pandryshueshëm. “Unë mendoj qe pozicionin tim si president e kam mbyllur për sa i përket vlerësimit te zgjedhjeve. Ky është një vlerësim i bërë dhe nuk jam konformist kur i bej ato. Unë kam bërë prononcime individuale edhe atëherë kur subjekti im politik mendonte ndryshe. Unë vlerësimin për zgjedhjet e kam dhënë njëherë”,- ka pohuar Topi.
Duke u fokusuar tek situata politike ne vend, Topi ka vlerësuar se qëndrimet e partive janë ekskluzivitet i vetë subjekteve politike dhe ka theksuar se presidenti nuk mund te ndërhyjë në to. I pyetur lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha, kreu i shtetit i ka cilësuar ato si “institucionale”, nivel qe sipas tij është me i përshtatshmi.
Ka një pretendim kryesisht me karakter justifikues për vizat se po na vonohen, pasi jemi një vend mysliman. A nuk ju duket kjo një tezë e rrezikshme sidomos kur e promovojmë vetë?
Unë besoj që është totalisht ndryshe. Sot shqiptarët, flas për atë pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve që janë në emigracion dhe nuk janë pak. Ata janë ballafaquar me realitetin perëndimor prej vitesh dhe gati-gati kanë dëshmuar që janë në parametra ekuivalentë me popullsinë ku ata jetojnë. Ne këtë e konstatojmë jo thjesht duke i njohur bashkatdhetarët tanë, por marrim konsiderata të drejtpërdrejta edhe nga autoritetet. Kjo ndodh në Greqi, ndodh në Itali, ndodh në vende të tjera të Evropës, ndodh në SHBA, pra marrim konsiderata mjaft pozitive, çka do të thotë që opinioni i vendeve ku shqiptarët kanë shkuar për të emigruar nuk është i tillë për bashkatdhetarët tanë, çka do të thotë i larguar në kohë nga momenti i emigrimit të tyre, besoj që kjo është një teori që nuk qëndron.
Por ne vazhdojmë të tregojmë papërgjegjshmëri politike, në jetën sociale, apo në çfarëdolloj shfaqje të komunikimit publik. Shumë nga këto shfaqje pati edhe në vitin 2009-të, apo jo zoti President?
Unë nuk do ta përkufizoja në këtë mënyrë, pasi ne jemi përgjithësisht të përgjegjshëm dhe secili është i ndërgjegjshëm për detyrën e vet. Mund të kishim qenë më të kujdesshëm në koordinimin e veprimeve, por duke iu rikthyer edhe një herë argumentit që sapo trajtuam, besoj që përderisa është çështje kohe, në funksion të kohës në terma të shkurtra, besoj që bie poshtë çdo lloj teorie tjetër. Nëse do të flasim për çështje të organizimit më të mirë të jetës politike, institucionale, të detyrimeve që ne kemi për të plotësuar me dokumentacion, me pasaportat biometrike, që janë detyrime të një karakteri teknik do e quaja, besoj që nuk do i jepja shumë hapësirë një diskutimi për nuanca negativiste për mënyrën e sjelljes së shqiptarëve. Unë them që gjërat përgjithësisht kanë shkuar mirë, mund të kishin shkuar më mirë, sigurisht që mund të kishin shkuar më mirë. Por, përgjithësisht jam në një vlerësim pozitiv.
Nëse do të bënim një bilanc, një llogari të vitit 2009-të, si është ajo për Kryetarin e Shtetit?
Problemi i llogaritjes së bilancit është në varësi të pozicionit. E them këtë, sepse do të mundohem që të bëj një bilanc shumë institucional, sepse kemi parë që palët politike i bëjnë bilancet sigurisht sipas pozicionit të tyre politik. Kështu që kam një lloj komforti për të qenë më i ekuilibruar në funksion të këtij pozicioni që duhet të jetë i ekuilibruar. Fakti që ne diskutuam për çështje shumë të mëdha që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me hapa të tjera për integrimin në Bashkimin Evropian, unë besoj që ky ka qenë një moment shumë pozitiv për Shqipërinë dhe institucionet e Shqipërisë. Kemi pasur pastaj edhe elementë të një debati politik që është i pranueshëm deri në një farë kuote, deri në një farë limiti, sepse përtej atij limiti, gjërat pastaj fillojnë e japin një imazh jo të këndshëm për ata që e ndjekin debatin politik dhe sidomos për partnerët ndërkombëtarë. Por, këto gjëra në prononcimet e mia, unë ua kam lënë palëve politike, por kam bërë apele të vazhdueshme në funksion të zbutjes së kësaj klime politike, në funksion të një bashkëpunimi sidomos në funksion të disa reformave që kërkojnë domosdoshmërish bashkëpunimin e palëve në proces. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që ndërtimi i një ligji të ri elektoral, për ata që e njohin politikën dhe për ata që bëjnë studime të karakterit politik, nuk është thjesht momenti i ndryshimit të një ligji, por patjetër ka edhe pasojat e veta në aplikimin e tij. E kam thënë në mos gaboj që kam qenë absolutisht dakord që ky ligj të ndryshojë, të vinte në parametrat e një ligji proporcional rajonal, për të përfaqësuar më mirë Shqipërinë, të gjithë natyrën variabël të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë, me të gjithë karakteristikat e veta, për ti dhënë mundësi që të rritet cilësia e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, për të rritur cilësinë e qeverisjes dhe për të shkuar në një lloj modeli që ndoshta është i përshtatshëm për Shqipërinë.
Mendoni që kjo ndodhi?
Nuk mund të them që kjo ka ndodhur, sepse këto janë elementë që duhet të diskutohen në funksion të stadit të demokracisë të partive politike në Shqipëri. Sot, unë nuk jam këtu që të bëj analizën dhe nuk dëshiroj që të interferoj në çështjet e partive politike, por për të diskutuar një çështje që është shumë parimore, do të thoja që ne kemi nevojë në përgjithësi, sidomos në partitë politike, nga të cilat projektohen të gjitha institucionet e tjera, që të rrisin ndjeshëm elementët e demokracisë së brendshme. Kjo do të bënte të mundur që të kemi më shumë pjesëmarrje të njerëzve, të cilët ndoshta e kanë të vështirë që të përballojnë situata të caktuara, cka u krijon padyshim pengesa për promovimin e tyre në politikë dhe do të ishte një element që do ta kërkonin të gjithë, që një demokratizim i jetës së brendshme në partitë politike, patjetër që do të rriste ndjeshëm kurajën e inkursioneve politike dhe të rritjes së mundësisë për të bërë reforma të guximshme në
Lidhur me zgjedhjet e 28 Qershorit zakonisht kur flet sovrani të gjithë heshtin, por ne kemi parë zoti President që një pjesë e mirë e sovranit nuk heshti dhe doli për të protestuar për votën e lirë. Mendoni që ka diçka që nuk shkoi mirë, bazuar dhe në vlerësimet e ndërkombëtarëve?
Edhe një herë, nuk dëshiroj të futem në mënyrë analitike në këto çështje, sepse nuk kam qenë as aktor, as indirekt monitor i këtyre zgjedhjeve, por duke pasur besim tek institucionet, të cilat janë të realizuara me Kushtetutë dhe me ligj, siç është rasti i KQZ-së, Kolegji, si dhe duke pasur respekt për organizatat, të cilat kanë sjellë monitorë profesionistë, unë jam i detyruar ti referohem këtyre elementëve dhe nuk mund të futem në elementë të tjerë që mund të jenë të karakterit politik. Respektoj vullnetin politik të partive, për ta pranuar, për ta kontestuar, kjo është çështje e tyre, ndërsa Presidenti i Republikës i ka referencat institucionale.
Zoti Topi flasim pak për situatën politike në vend. Si i vlerësoni protestat e opozitës, i bëjnë ato mirë apo keq demokracisë në vend dhe situatës në përgjithësi?
Flas në aspektin parimor. Padyshim, është e drejta e çdo partie politike, e simpatizantëve të saj, e sindikatave, e grupimeve të ndryshme shoqërore. Për tiu rikthyer retrospektivës apo eksperiencës personale, edhe unë kam protestuar kur kam qenë i inkuadruar në partitë politike dhe nuk do të kishte guximin askush të thonte të kundërtën, pra çdo njeri është i lirë të protestojë. Ka protesta individuale, ka në formën e grupimeve politike, të grupimeve shoqërore dhe është një nga standardet e arrira të demokracive perëndimore. Për tu futur në elemente specifikë, natyrisht është në vullnetin e partive të opozitës për të protestuar për diçka që mendojnë që duhet protestuar. Kështu që unë nuk mund të bëj rolin e analistit, apo të supervizorit apo të monitorit për të thënë që po bëjnë mirë apo po bëjnë keq.
Zoti President ky lloj qëndrimi juaj i cili është absolutisht korrekt nga pikëpamja e kornizës kushtetuese, edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit që e reduktuan, e zhveshën tentuan ta çngjyrosin nga fuqia vepruese e Presidentit të Republikës dhe ju i keni miratuar, i keni firmosura këto ndryshime kushtetuese megjithatë një javë para po në një intervistë me mua jeni shprehur në mënyrë shumë kritike dhe të rreptë ndaj tyre.
Çështja kushtetuese është një çështje që i takon të gjithëve. Për definicion Presidenti është garant i Kushtetutës dhe ligjit, është e thënë në Kushtetutë. Pra nuk mund të jetë pozicion voluntarist i X-it apo Y-it. Ajo që kam thënë në atë kohë ka qenë: Kujdes mund të bëni ndryshime sepse ndryshimet vijnë mbi bazën e vullnetit të një shumice parlamentare, që arrijnë në atë numër të domosdoshëm që parashikon Kushtetuta. Pra sqaroni momentet, paraqitini para njerëzve, paraqitini në media, jepuni mundësi njerëzve që të ambientohen me këto ndryshime dhe pastaj bëni ndryshime. Kur nuk e morën në konsideratë dhe vendosën brenda një nate, atëherë isha i detyruar të bëja një nënshkrim të menjëhershëm të dekretit. Ka një arsye të fortë morale dhe një arsye të fortë institucionale. Së pari, kur Parlamenti zgjedh Presidentin me 84 vota dhe kur janë 115 vota që janë për ndryshime kushtetuese atëherë nuk ke asnjë lloj mundësie të mendohesh. Është një vullnet që…
Megjithatë ju vetë e thatë, në rastin e KQZ-së, këto ndryshime kushtetuese edhe në mënyrën si u bënë edhe për thelbin e tyre kanë ndikim apo kanë sjellë pasoja në zhvillimet politike të këtij viti apo jo?
E hodhët pak përpara, që ju ka rënë kompetenca. Në mënyrë absolute. E rëndësishme është që ata që e kanë pasur vullnetin për të ndërtuar një ligj elektoral, duhet të mendoheshin mirë para se ta realizonin. Në momentin që realizohen, nuk mund të bësh komente në retrospektivë, si e ke realizuar. Ka një rregull, nuk është lojë fëmijësh. Kjo është loja më e rëndësishme që ka të bëjë me demokracinë e një vendi dhe me të ardhmen e një vendi. Njerëzit nuk duhet të bëhen qaramanë post faktum. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Ku dallohet një politikan, një intelektual nga një njeri i zakonshëm. Duhet ti bëjë profilaksinë gjërave. Pra futesh në një periudhë përgatitore, dialogu, fillon ndërton mbi bazën e ekspertëve edhe kur bën vendimmarrjen nuk ke pse qahesh më.
Qajnë zakonisht ata që humbin zoti President. Kritika juaj drejtohet drejt opozitës.
Jo në mënyrë absolute! Nuk bëj unë kritika ndaj mazhorancave apo opozitës. Ju mund ta orientoni ku të doni. Unë jam i drejtpërdrejtë, jam shumë I sjellshëm. Nuk bëj kritika. Problemi është në parim, kur shkon drejt vendimmarrjeve serioze, duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Nuk je në një tavolinë bixhozi, që e mbyll natën sonte dhe mund të kthehesh prapë nesër. Këto janë fatet e një vendi. Politikani ka një përgjegjësi absolute. Duhet të shkojnë shumë të përgatitur. Kemi pasur raste që kemi ndenjur me ditë dhe me netë për të diskutuar një element teknik në negociata. Ju e dini fare mirë.
Zoti President, ju u takuat para disa ditësh zyrtarisht me liderin e opozitës. Në fakt njoftimi për shtyp ishte pak rreshta dhe u kuptua që ajo që ishte thënë brenda ishte diçka më shumë nga ajo që u tha zyrtarisht. A mund të na thoni çfarë u tha në atë takim?
Elementi më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo zyrë të institucionit shtetëror është transparenca. Në momentin kur është kërkuar takimi nga zoti Rama, i cili është gjithmonë i mirëpritura si çdo politikan tjetër në zyrën e Kreut të Shtetit, kam bërë njoftimin e mediave për të qenë të pranishme dhe kam pasur një komunikim nëpërmjet zyrës së shtypit me të gjitha mediat, për të thënë edhe elementet kryesorë të takimit. Zoti Rama erdhi me shqetësimin për ti bërë prezent nga afër Kreut të Shtetit të gjitha problemet që ekzistojnë në tryezën e opozitës. Për sa i përket pozicionimit të shtetit ligjor, ka të bëjë me Prokurorinë, ka të bëjë me gjykatat, me ato pozicione me të cilat Presidenti ka një lidhje të natyrës organike dhe ligjore. Ky ka qenë takimi. Ka sjellë edhe një dosje me të gjitha këto çështje, të cilat ai i ka orientuar në institucionet e shtetit. Asgjë nuk ka mister në këtë komunikim.
Zoti President, a ju ka kërkuar, apo keni kërkuar, apo keni komunikuar për të njëjtën situatë me kreun e mazhorancës?
Unë kam pasur rastin, në raste të ndryshme të takohemi, por nuk kemi diskutuar. Nuk është vendosur në rendin e ditës ndonjë bisedë specifike për këtë çështje.
Si i keni marrëdhëniet tuaja me Sali Berishën në këto moment? Vazhdojnë të jenë vetëm institucionale?
Kur janë institucionale, janë të arrira besoj, sepse ne tentojmë që marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet që ekzistojnë në kafene, apo nëpër ambiente të tjera afër partive politike, ti bëjmë institucionale. Në momentin që themi që janë institucionale, them që janë të arrira.
Ndalemi te drejtësia zoti President.
Një sekondë! Do të ndalemi dhe mund të vazhdojmë dhe gjatë po të doni. Shteti i fortë është drejtësia e fortë. Drejtësia e fortë bëhet me ligje të forta dhe bëhet me njerëz, të cilët kanë parametra që meritojnë për të qëndruar në atë pozicion. Atëherë lë të qëndrojmë tek e njëjta linjë që sapo shpreha! Ne kërkojmë që në vazhdimësi të ketë reforma shumë të forta për drejtësinë, që një njeri të shkojë në atë pozicion duhet ta dijë fare mirë që ka një detyrim, një përgjegjësi dhe një borxh shumë të madh para njerëzve. Këtë bisedë ne e kemi bërë vazhdimisht. Pra për të diskutuar edhe një herë ku janë problemet. Problemet janë tek vetë sistemi i drejtësisë, që ka të bëjë edhe me konstituimin e çdo personi, qoftë në linjë të personalitetit të tij, qoftë në linjë profesionale, por detyrimi për të vazhduar reformat, është detyrim.
Si e gjykoni punën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të kreut të saj gjatë këtyre viteve që ajo është aty? Mund të ishte punuar më shumë, sepse na thonë lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, një nga pengesat kryesore në rrugën tonë drejt integrimit?
Sokol, problem nuk është thjesht individual. Vërtet titullari i një institucioni është shumë i rëndësishëm, por nuk është thjesht individual. Këtu është çështja e një sistemi. Këtu është çështja e një institucioni dhe çdo institucion operon mbi bazën e një ligji të caktuar ku titullarit nuk i lejohet të jetë arbitrar. Me fjalë të tjera nuk mund të ketë dorë të lirë për të operuar edhe aty ku ai mendon që duhet operuar, sepse ka rregulla, ka ligje që rregullojnë edhe pozicionin e nëpunësve, të prokurorëve, të gjyqtarëve. Mos mendoni ju? A e dini ju që edhe vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë?
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009