E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Në 23 qershor qytetarët do të votojnë për integrimin evropian

SHKODËR - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, njëherazi nënkryetare e Partisë Demokratike, ka shprehur bindjen se e djathta do të fitojë bindshëm në 23 qershor pasi modeli që ajo ofron është zhvillimi dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, përkundër alternativës së bllokimit që ofron e majta.
Zonja Topalli, e cila kryeson listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës, ka vijuar këtë fundjavë takimet me elektoratin e Postribës, që ka hyrë në histori si e para zonë që refuzoi diktaturën dhe krimet e saj. 

“Ju përherë i keni besuar Kryeministrit Sali Berisha dhe ai përherë ua ka shpërblyer. Në këto 23 vite, me një rezultat të shkëlqyer i keni dhënë besimin Partisë Demokratike, që është partia e shpresës, e integritetit, e ndryshimt dhe e transformimit”, tha kryeprlamentarja Topalli.
Ajo solli në vëmendje arritjet e Partisë Demokratike në gjithë këto vite demokraci, duke renditur anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, OSBE, Bankën Botërore dhe istitucione të tjera globale. “Arritja më e madhe nën drejtimin e Partisë Demokratike ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, gjë që bëri që shqiptarët të fitojnë një dimension lirie të jashtëzakonshme”, nënvizoi Topalli.
23 vite më parë Shqipëria renditej si një ndër tre vendet më të varfëra të globit, por sot, tha kryetarja e Kuvendit, është ndër vendet që ka pësuar ndryshimin më të madh falë reformave të qeverisë dhe energjisë së qytetarëve shqiptarë. 

Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit, Topalli shprehu bindjen se qytetarët shqiptarë do të votojnë për ndryshimin e madh. “Në 23 qershor, qytetarët shqiptarë do të dinë të bëjnë diferencën midis alternativës që ofron vokacionin perëndimor dhe integrimin e vendit në BE dhe atij që bojkoton dhe bllokon prej katër vitesh rrugën e Shqipërisë në Europë, do të dinë të bëjnë diferencën mes Kryeministrit Berisha që miraton rroga dhe pensione dhe atij që në çdo rast dhe në çdo vit ka votuar kundër çdo projekti, do të dinë të bëjnë diferencën mes Kryeministrit që ka punuar për ndryshimin e Shqipërisë dhe atij që nuk do t’ia dijë për vendin e tij dhe nxihet sa herë që Shqipëria arrin një progres”. Zonja Topalli vuri në dukje se në 23 qershor Edvin Rama shkon si humbësi më i madh , i humbur në 2005, 2007, 2009, 2011-tën. 

Referuar premtimit të kryeministrit për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara, numri dy i Partisë Demokratike, shprehu bindjen se është një premtim i realizueshëm pasi, siç u shpreh ajo, “Kryeministri Berisha e ka faktuar se guxon dhe është kampion në realizimin e reformave”. 

Në fjalën e saj, zonja Topalli u ndal edhe në projektet e realizuara nga qeveria në zonën e Postribës, ndër të cilat veçoi ndërtimin e rrugës së Kullajve, Dragoçit, rrugën dhe argjinaturën e Urës së Mesit, rrugën e Prekalit, ndërtimin e ujësjellësave, qëndrave shëndetësore, etj. Ajo garantoi se në 4 vitet e ardhshme do të trefishohen fondet për subvencionimin e bujqësisë, për infrastukturën rrugore dhe shkollat.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›