Topalli: Në Bullgari, do të kërkojë mbështetje për statusin kandidat

Kryetarja e Kuvendit, vizitë zyrtare në Bullgari
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli Çoba u nis s për një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Bullgarisë, Cecka Caçeva.
Jozefina Topalli do të pritet në takime të veçanta edhe nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosin Plevneliev, si dhe nga Kryeministri Bojko Borisov. Vizita e Kryetares së Kuvendit do të kulmojë me një fjalim në sallën e seancave parlamentare përpara deputetëve të Bullgarisë, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e Kryetares së Kuvendit në Bullgari. 5 vite më parë zonja Jozefina Topalli së bashku me Kryetarët e Parlamenteve të Kroacisë dhe Maqedonisë u ftuan në seancën plenare ku u ratifikua protokolli i anëtarësimit në NATO.
Në këto 5 vite Shqipëria ka pasur zhvillime dinamike; është anëtare e NATO-s, ka liberalizuar vizat me BE-në, ka një zhvillim pozitiv ekonomik, që e bën ndër të paktat vende që nuk ka kaluar në recesion, pavarësisht se e rrethuar nga vende me krizë të thellë ekonomike.
Në takimet me krerët më të lartë të shtetit bullgar, Jozefina Topalli do të kërkojë mbështetje për statusin e vendit kandidat si dhe do bisedojë për një shtysë të re të bashkëpunimit ekonomik në energji, hidrokarbure, miniera por edhe përmes projekteve të mëdha infrastrukturore siç është Korridori 8.