E Diel, 1 Nëntor 2026

“Asistenca e BE nga statusi, 30 milionë euro më shumë investime në Shqipëri”

05-02-2013 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu akuzon Edi Ramën që s’do t’ia dijë për qytetarët e vendin

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaron se asistenca e Bashkimit Europian e destinuar me marrjen e statusit te vendit kandidat, shkon për investimet në infrastrukturë, ndërtim shkollash e spitalesh, rritje të mundësive për pagesën e bursave të studentëve shqiptarë që studiojnë në universitetet më të mira të botës.
Sipas saj, nga marrja e statusit, Shqipëria përfiton 30 milionë euro më shumë nga fondet e Brukselit.
“Shuma që Shqipëria, pasi ka akredituar strukturat, do të merrte në vit, duke qenë vend kandidat, është rreth 30 milion euro më shumë në vit. Me 30 milion euro më shumë në vit do kishim 1800 studentë në vit që studionin në universitetet më të mira të Botës. Sot paguajmë 1 milion euro në vit për 60 studentë me bursë. Me 30 milion euro më shumë në vit, do të mund të ndërtonim 30 shkolla të reja. Një shkollë e re kushton 1 milion euro.
Me 30 milion euro më shumë në vit dyfishohej buxheti vjetor i QSUT-së! Paga, shërbime speciale si dializa, ilaçet etj. Ose mund të ndërtohej spitali i kirurgjisë, që do të ishte zgjidhje për gjithë vendin. 30 milion euro më shumë në vit janë baraz me pagesën e 11. 670 pensionistëve me pagesë 30 mijë lekë të reja në muaj. 30 milion euro më shumë në vit janë baras me 5800 vende punë me pagë 60 mijë lekë të reja, në muaj. 30 milion euro më shumë në vit janë baras 14.285 paga minimale. Me 30 milion euro më shumë në vit do të ishin ndërtuar 30 km rrugë të brendshme, 120 km rrugë rurale, ose 17 km të tjerë nga Bypass i Vlorës. Me 30 milion euro më shumë në vit do të ishin ndërtuar 22 kopshte dhe shkolla. Ja, fare thjesht disa nga detajet e kostos së humbjes së përfitimeve nga bllokimi i statusit nga Rama e te tijtë! Lista nuk mbaron këtu, të tjera investime të munguara me fondet e BE do prezantohen në vijim. 3 ligje të votuara, janë të domosdoshme për marrjen e statusit! Rama s’do! S’do t’ia dijë për qytetarët e vendin!”, deklaron ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›