“Vizita e Fyle, mesazh i qartë për t’u dhënë fund konflikteve”
Nënkryetarja e LSI-së, Klajda Gjosha në mbledhjen e KDK-së së LGI-së
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, në fjalën e saj në Komitetin Drejtues Kombëtar të LGI-së i bëri dhe një herë thirrje politikës shqiptare që të përfitoj nga vizita e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, dhe të lërë mënjanë konfliktualitetin e të punojë për integrimin e vendit.
Klajda Gjosha në emër të LSI-së u shpreh se i duhet dhënë fund konflikteve dhe për të votuar në mënyrë menjëhershme të tria ligjet në Parlament ku nuk do të ishte vetëm një status i sigurt për Shqipërinë në Bashkimin Europian por do të krijonte edhe një klimë pozitive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Patjetër që mesazhi ynë kryesor edhe si Lëvizje Socialiste për Integrim është edhe fakti që ne punojmë shumë për integrimin e vendit. Kjo është edhe shtylla kryesore e platformës sonë, e cila sot përkon me një moment tepër të rëndësishëm pasi siç e dini sot në Shqipëri kemi nderin që vizitohemi nga z. Fyle të cilin me të vërtetë në emër të LSI-së e falënderoj për të gjithë mbështetjen dhe kujdesin që ai tregon ndaj politikës shqiptare. Me rëndësi është fakti që ai sot vjen dhe e gjen Shqipërinë në një moment tepër të rëndësishëm të një konflikti politik i cili është krijuar dhe ka pushtuar vendin tonë. Ndaj mesazhi më i mirë që ai mund t’i japë Shqipërisë është për t’i dhënë fund këtyre konflikteve politike për ta çuar Shqipërinë drejt zhvillimit të mëtejshëm, drejt integrimit të shoqërisë sonë në Bashkimin Europian. Ky është edhe fokusi i punës sonë, është edhe fokusi i asaj se çfarë kërkojnë sot të gjithë shqiptarët dhe e gjitha shoqëria shqiptare. Është koha për të fituar këto dhjetëra vitet e fundit të humbura dhe për t’i dhënë vendit tonë kulturën, frymën dhe integrimin evropian. Ndaj edhe një herë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë politikën shqiptare për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të votuar në mënyrë menjëhershme të tria ligjet në Parlament ku nuk do të ishte vetëm një status i sigurt për Shqipërinë në Bashkimin Europian por do të krijonte edhe një klimë pozitive për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Është momenti që të lemë pas të gjithë konfliktet politike. Të punojmë se bashku për t’i dhënë fund çështjeve me interesa personale dhe të ecim më shpejt drejt zhvillimit dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, u shpreh Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha.