E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Në Kuvend, jo burra që kanë dhunuar partneret

Një burrë i cili dhunon gruan që ka në krah, nuk mund të jetë i denjë për të përdorur pushtetin politik në të mirë të të tjerëve. Këtë mendim ndan kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në konferencën kombëtare me temë "Për një familje dhe shoqëri të barabartë”, shprehu qëndrimin e saj për të mos lejuar që të hyjnë në Parlament burra të dhunshëm. "U bëj thirrje pjesëmarrësve këtu, çdo shqiptari dhe të gjithë atyre që kanë më shumë kontakt me qytetarët e thjeshtë, gratë, fëmijët, mos pranoni kurrë që të hyjnë në Parlament burra që kanë dhunuar gratë dhe partneret e tyre. Kurrë mos lejoni ata që tregohen burracakë me familjet e tyre, me më të dobëtit, t’u jepet sadopak pushtet, sepse ata mund të bëjnë vetëm gjëra vulgare dhe të padenja", - tha kryetarja e Kuvendit. Në konferencë u vu theksi se gjatë këtij viti janë bërë mbi 250 kërkesëpadi në gjykata dhe mbi 600 gra kanë kërkuar ndihmën e policisë për dhunën e ushtruar ndaj tyre. Kryeparlamentarja nënvizoi se “në dhunën në familje, ajo që të dhemb më shumë dhe të trondit më shumë, është dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve. Kjo ndodh për shumë arsye, por mbi të gjitha për shkak të mosreagimit të shoqërisë. Fëmijët nuk janë minipersona me mini të drejta. Fëmija është i pari”. Apeli i Topallit kundër dhunës në konferencën e djeshme është vijim i fushatës sensibilizuese që ajo ka ndërmarrë në çdo qytet e fshat kundër dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit tha se çështja e dhunës s'mund të lidhet thjesht me procedurat ligjore e gjyqësore. Ajo është çështje e së drejtës. "Dhuna e ushtruar ndaj grave dhe ndaj fëmijëve vjen në radhë të parë nga pabarazia që ekziston midis dy gjinive dhe me mosnjohjen e të drejtës”. Duke vlerësuar partneritetin e gjithë shoqërisë, kryetarja e Kuvendit u shpreh se "vetëm një koordinim i mirë mes policisë, mjekëve, mësuesve, shoqërisë civile, dhe politikanëve do të bënte të mundur që çështja e dhunës në familje të trajtohet si një çështje prioritare për një shoqëri të civilizuar, që pretendon të ecë përpara në vokacionet perëndimore. Ky fenomen është çështje e gjithë shoqërisë". Kryetarja e Kuvendit vuri theksin tek ndryshimi i mendësisë për denoncimin publik të dhunës në shoqëri. "Gratë dhe fëmijët e dhunuar izolohen më shumë, janë më të frikësuar dhe, në qoftë se ne nuk i shkëpusim këta zinxhirë të frikës, dhimbjes dhe mosreagimit, nuk do të bëjmë përpara. Ndaj është shumë e rëndësishme që të flasim për ata që heshtin, të bëjmë të dukshme atë që fshihet pas mureve të shtëpisë. Dhuna në familje nuk është një çështje private", - tha kryetarja e Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri në fushatat kundër dhunës në familje, duke veçuar rolin e Këshillit të Evropës si një promotor të kësaj lufte, dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara me avokaturën nëpërmjet dokumenteve dhe konventave të hartuara për këtë qëllim. Në këtë pikë kryetarja e Kuvendit vlerësoi si qenësore zbatimin e këtij legjislacioni, për të mos i lënë ato thjesht si dokumente të shkruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›