Valencia refuzon 50 milionë euro të Çelsit për D. Vijën
Kur mungojnë pak javë nga mbyllja e kampionateve evropiane, janë të shumta skuadrat që mendojnë për përforcimet e ardhshme në merkato. Një prej tyre është Çelsi: së fundmi blutë e Londrës kanë ofruar 50 milionë euro për David Vijën, por Valencia nuk ka pranuar të fillojë bisedimet. "The Observer" pretendonte se refuzimi ka ndodhur dy javë më parë. Sulmuesi i përfaqësueses spanjolle mbetet një prej lojtarëve më të kërkuar në merkato, pas paraqitjeve të mira në La Liga dhe golave në Euro 2008. Klubi spanjoll mund të jetë i detyruar të shesë 27-vjeçarin për shkak të situatës së vështirë financiare. Për Vijën interesohen edhe Reali i Madridit dhe Barcelona, ndërsa në garë janë edhe Juventus, Atletiko Madrid, Liverpul dhe Mançester Siti. Duke parë konkurrencën, nëse dëshiron të sigurojë shërbimet e sulmuesit, Çelsi duhet të ofrojë më shumë para. Gazeta theksonte se Abramoviç dëshiron ta afrojë David Vijën në "Stemford Brixh", por pa saktësuar nëse do të paraqitet një tjetër ofertë.