E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Ne fokusin kryesor te fushates tone familjaqytetaret mireqenia dhe interesat e tyre

Kopliku dhe Bushati kanë qenë ndalesat e radhës së Kryetares së Kuvendit, njëkohësisht Nënkryetare e PD, Jozefina Topalli, ku në takime entuziaste me banorë të këtyre zonave ka prezantuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Kryetar Bashkie dhe Komune.

“Në fokusin kryesor të fushatës tonë është familja, janë qytetarët, mirëqenia dhe interesat e tyre, si dhe realizimi i projekteve ambicioze në mbështetje të halleve dhe problemeve të tyre”.

Me këto fjalë, zonja Topalli ftoi banorët e Koplikut të votojnë zotin Ramadan Lika, për një mandat të dytë, për të çuar më tej projektet ambicioze në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj bashkie me vijimin e asfaltimit të rrugëve, ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave, qendrave shëndetësore dhe sa më shumë shërbime sociale për qytetarët etj.
Zonja Topalli shprehu sigurinë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarde më të larta evropiane. Ajo tha se kjo koalicioni i djathtë hyn në këto zgjedhje me bilanc të jashtëzakonshëm arritjesh me vepra konkrete dhe jo me retorikë boshe, mashtrime dhe trillime.

“Ju keni mundësi ta bëni këtë gjë me votë, në datën 8 maj, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me zgjedhje e standardeve më të larta. Ne nuk kemi retorikë boshe, ne kemi vepra. Ne nuk kemi shpifje, ne kemi rrugë të shtruara. Ne nuk kemi trillime, ne kemi shkolla të reja. Ne nuk kemi sharje, përkundrazi, ne respektojmë çdo mendim. Pa dyshim, nuk pranojmë kurrë që të shpifet, nuk pranojmë kurrë që të mashtrohet, nuk e pranojmë kurrë kulturën e dhunës, nuk e pranojmë kurrë dhunën që dikujt mund t’i shkojë ndër mend” u shpreh ndër të tjera zonja Topalli.

Më pas, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim të përzemërt me banorët e Bushatit ku i ftoi ata që së bashku me zotin Zef Hila, i cili kandidon për një mandat të ri në këtë komunë, të hartojnë projektet për të cilat ata kanë nevojë për familjet e tyre, fëmijët e tyre dhe për gjithë komunitetin.

“Gjatë këtyre katër vjetëve Shqipëria ka ndryshuar. Gjatë këtyre katër vjetëve çdo qytet ka ndryshuar. Gjatë këtyre katër vjetëve çdo komunë ka ndryshuar. Vetëm në komunën tuaj janë 51 kilometra rrugë të shtruara, ndërsa në të gjitha Shqipërinë janë 8 mijë kilometra rrugë të ndryshuara, të rregulluara, të rindërtuara dhe të bëra nga e para” tha Kryetarja e Kuvendit.

Zonja Topalli i shprehu zotit Hila përgëzimet më të mira për çdo punë, projekt, ide, vepër dhe për çdo gjë që ai keni bërë për komunën e Bushatit ndërsa theksoi së vetëm për këtë komunë janë investuar mbi 10 milionë dollarë projekte në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime etj.

“Kryetari i komunës suaj, mesa duket, do të jetë për një kohë të gjatë kryetar foli për shumë vepra në shumë fusha në shumë drejtime. A e dini se sa është vlera totale e gjitha këtyre investimeve? Nuk është 1 milion dollar, nuk është 2 milionë dollarë, nuk është 5 milionë dollarë, por është mbi 10 milionë dollarë. 10 milionë dollarë vetëm për komunën e Bushatit janë një shifër e jashtëzakonshme, janë një shifër e mrekullueshme për banorët tuaj. Është një fjalë dhe premtim i mbajtur. 10 milionë dollarë vetëm për komunën e Bushatit. Fjalë e thënë, premtim i mbajtur! Ne jemi burra dhe gra që kur themi një fjalë i qëndrojmë asaj” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Zonja Topalli tha se filozofia e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” është një filozofi e thjeshtë që mbart në vetvete vlerat e qytetarit dhe është pikërisht kjo filozofi për të cilën qytetarët do të votojnë me 8 maj, për alternativën që u ofron mbështetje dhe zgjidhje problemeve të tyre.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se rruga e Shqipërisë drejt zhvillimit nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por falë angazhimit dhe përkushtimit të kësaj mazhorance për të mbajtur premtimet e dhëna, Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO, një vend që ka përfituar me dinjitet lëvizjen e lirë në një dimension të gjerë, atë të hapësirës Shengen dhe që po afrohet me hapa pozitivë drejt familjes evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›