E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Nuk diskutojmë ultimatumet e masonëve, që flasin në emër të lidershipit të PS

Kryetarja e Kuvendit i mbyll dyert çdo lloj paralajmërimi të klanit të pasanikëve të Edvinit. Topalli u shpreh se me grupin e masonëve, të cilët nuk përfaqësojnë Partinë Socialiste, as nuk duhet folur, e as duhet arritur ndonjë marrëveshje.

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka lëshuar dje akuza të drejtpërdrejta në drejtim të kryesocialistit Edi Rama dhe së pasanikëve në opozitën shqiptare. Kryeparlamentarja mohoi në mënyrë kategorike marrjen në shqyrtim të ultimatumeve të Partisë Socialiste, duke e konsideruar kreun e saj një përfaqësues masonësh, me të cilin as duhet folur, e as duhet arritur ndonjë marrëveshje.
Gjatë fjalës së saj në kuvendin e Partisë Demokratike në Malësi e Madhe kryetarja e Kuvendit iu referuar zgjedhjeve të përgjithshme, duke i vlerësuar ato si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. “Në cilin vend të botës, për institucionet që dalin nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga e gjithë bota humbësi të thotë që janë me legjitimitet të cunguar. I them Edvin Ramës: “je mbrapsht, je krejt mbrapsht me sjelljet e tua dhe kur kërkon të nxjerrësh jashtë sistemit Partinë Socialiste. Edvin Rama s’ka menduar kurrë për qytetarët sepse s’ka menduar kurrë për familjen e tij. S’ka menduar kurrë për familjen e tij, s’ka menduar kurrë për nënën e tij, s’ka menduar kurrë për partneret e tij, s’ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij? Çdo tentativë e tij do shkojë në fund të koshit”, u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Sipas saj, Edi Rama nuk përfaqëson Partinë Socialiste, por interesat e një klani të ngushtë njerëzish, të pasuruar në mënyrë të dyshimtë. “Edi Rama nuk është Partia Socialiste. Edi Rama nuk përfaqëson interesat e PS-së. Edi Rama është vetëm një klan njerëzish që përbëhet nga zotëria e tij, nga Koço Kokëdhima, nga Fidel Ylli, nga Dash Peza, nga Dulakët dhe nga të gjithë bosët e tjerë të ndërtimit, burimi i të ardhurave të të cilëve nuk janë fare fare fare të qarta. Ata janë masonë, nuk janë Partia Socialiste”, tha më tej Topalli.
Duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e festës së madhe të 8 dhjetorit, rënies së diktaturës komuniste, Kryetarja e Kuvendit tha se është një përvjetor i shënuar për çdo shqiptar, pasi iu dha fund nomeklaturës komuniste. “Do festojmë më 8 dhjetor 19-vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit, në Shqipëri, në Tiranë. Është një përvjetor në të cilin ne e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, e rrëzuam edhe Sulejman Bushatin, ju e njihni”, tha më tej kryetarja e Kuvendit.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha më tej se brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës, të gjithë qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë në mbarë evropën.
“Ky katërvjeçar do jetë i jashtëzakonshëm. Në gjysmën e vitit të ardhshëm shqiptarët do lëvizin pa viza dhe së shpejti do bëjmë të mundur që të jemi qytetarë të BE-së, ashtu siç jemi qytetarë të NATO-s”, theksoi kryetarja e Kuvendit.
Sipas saj, nuk ka moment më vendimtar për Shqipërinë se sa të jetë në prag të realizimit të proceseve të mëdha integruese.
“Nuk ka krenari më të madhe sesa, bashkë me çdo shqiptar, të jem pjesë e arritjes që Shqipëria të konsiderohet një vend që e ka fituar betejën me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më 16 nëntor 27 vende, 27 Qeveri të Bashkimit Europian na thanë: “Po. E kaluat shkëlqyeshëm provën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi ndër të tjera kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›