Topalli: Nuk e votoj Nanon për President
“Zoti Topi ka votuar për zotin Rama dhe kjo do të thotë se ai beson tek e majta dhe kështu që i takon të majtës”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk e sheh dot Fatos Nanon si President të ardhshëm të Shqipërisë. Të paktën ajo personalisht ka theksuar se nuk do ta votonte një emër të tillë, nëse do t’i paraqitej Kuvendit si kandidat për postin e kreut të shtetit. Duke folur dje në një intervistë në “ABC News”, ajo nuk ka dashur të komentojë dëshirën e shprehur nga Nano, por ka theksuar se nuk do ta votonte atë. “Nuk gjykoj, as paragjykoj asgjë. Çdo njeri ka të drejtën për të thënë që unë dëshiroj. Nuk e kam menduar asnjëherë. Unë kam thënë që unë nuk e votoj”, - u shpreh Topalli. Ndërkohë që nga ana tjetër ajo sërish nuk ka dashur të konfirmojë se do të jetë edhe vetë në një garë të tillë, duke e argumentuar këtë hezitim me faktin se do të respektonte institucionin e Presidentit aktual. “Unë, pavarësisht mendimit personal për institucionin përkatës, dua të respektoj deri në fund Presidentin dhe detyrën e tij. Nuk preferoj që të diskutohet tani. Unë dua të jem luajale me Kushtetutën dhe me mandatin, dhe dua ta respektoj deri në fund institucionin e Presidentit”, - u shpreh ajo, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do kandidonte apo jo për këtë post. Ndërkohë që Topalli ka përjashtuar kategorikisht një kandidim të mundshëm edhe të presidentit aktual Bamir Topi, të cilin e ka konsideruar si jashtë loje në këtë garë, për shkak se gjatë ushtrimit të detyrës së tij në postin që mban aktualisht ka shkelur Kushtetutën. “Për ta thjeshtësuar, meqë dikujt i pëlqen ndeshja e futbollit dhe sa herë flitet për politikë shkon te ndeshja e futbollit: Është stadiumi me vijën e bardhë, nëse topi del jashtë është autside. Nëse shkel Kushtetutën ti je autside. S’të pranon njeri”, - tha Topalli. Nga ana tjetër, ajo ka këmbëngulur ashtu si edhe kryeministri Berisha, se Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet përmes procedurës kushtetuese, çka nënkupton se ai do të jetë një emër i propozuar nga mazhoranca, që do të zgjidhet me 71 vota. “Unë e shoh shumë të thjeshtë, sepse e shoh te Kushtetuta. Kushtetuta ka përcaktuar mekanizmat dhe dispozitat përkatëse për zgjedhjen e Presidentit”, - u shpreh Topalli. Duke komentuar raportet me Topin, kryeparlamentarja ka evidentuar se ai është Presidenti që nuk ka zbatuar në vijueshmëri Kushtetutën, pasi nuk ka pranuar të bashkëpunojë me Kuvendin. Madje, ajo ka bërë edhe një krahasim me Moisiun, duke theksuar se ky i fundit ka qenë një president shumë herë më i mirë se Topi. “Jo, nuk mund të them për Moisiun. Presidenti Moisiu është konsultuar me Kuvendin në zgjedhjen e dekreteve të ndryshme. Në përgjithësi. I vetmi President që nuk pranoi të bashkëpunojë është Presidenca aktuale. I vetmi President që nuk njohu Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës, është vetëm ky aktual. Nuk mund ta them kurrë këtë për Moisiun, ai ka respektuar Kushtetutën, ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ai ka qenë transparent”, - u shpreh Topalli. Ajo ka pranuar se propozimi i emrit të Bujar Leskajt nga Presidenti në postin e kryetarit të KLSH-së ishte antikushtetues, pasi Presidenti nuk u konsultua me Kuvendin, megjithëse mazhoranca e votoi. “Midis lënies apo nxjerrjes jashtë funksionit të një institucioni kushtetues, siç është KLSH, dhe votës për ta bërë funksionues, pavarësisht thyerjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese të moskonsultimit të institucionit të Presidentit me Kuvendin, sërish me dhimbje kam zgjedhur që organi kushtetues të funksionojë. Midis dy të këqijave, natyrisht zgjedh më të voglën. Është zgjidhje e vështirë, zgjidhje e dhimbshme, por zgjidhje që është në mbrojtje të Kushtetutës. Konsultim nuk do të thotë të shkosh në kafe dhe meqë të njoh po të dekretoj në krye të institucionit”, - tha Topalli. Kryeparlamentarja ka komentuar edhe projektin e ri të Presidentit të Republikës për të krijuar një forcë të re politike, duke u shprehur e sigurt se ai nuk do dëmtojë të djathtën, pasi partia e re do jetë e majtë. “Një kryetar partie që voton për zotin Rama, është vetëm majtas dhe nuk ka asnjë lidhje me të djathtën. Zoti Topi ka votuar për zotin Rama dhe kjo do të thotë se ai beson tek e majta dhe kështu që i takon të majtës”, - tha Topalli. Ajo ka hedhur poshtë, gjithashtu, edhe mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke konsideruar si haluçinante një ide të tillë.