Oketa: Do të votoja çdo kandidat të PD-së për president
Deputeti i PD-së për partinë e re: “Ta lëmë Topin të mbarojë mandatin. Do të ketë plot ngjarje dhe zhvillime deri në atë moment”
TIRANË Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa ishte i rezervuar dje në qëndrimet e tij lidhur me krijimin e një partie të re të djathtë nga Bamir Topi pas përfundimit të mandatit si President. “Ta lëmë Topin të mbarojë mandatin. Do të ketë plot ngjarje dhe zhvillime deri në atë moment. Do të ishte e mira që secili nga ne të bëjë detyrën”, - tha mbrëmë për emisionin “Intervista” në ‘Vizion Plus’. Oketa nuk iu përgjigj as pyetjes nëse do të votonte kandidaturën e Nanos për president, por ishte i qartë kur u pyet nëse do të votonte Topallin si presidente të ardhshme. “Unë do të votoja çdo kandidat të PD-së pa bërë asnjë dallim. I qëndroj parimeve dhe nuk merrem me emra”, - u përgjigj Oketa. Deputeti demokrat deklaroi mbrëmë për herë të parë se nuk ishte pro rikandidimit të Bamir Topit si president, për shkak të qëndrimeve që janë mbajtur ndaj këtij institucioni. “Nëse Topi do të rikandidonte, unë do t’ia jepja votën. Në qoftë se Topi do të kërkonte një mendim timin nëse duhet të rikandidonte, këshilla ime do të ishte jo sepse vështirë të kuptoj ata kandidatë që do t’i ofrohen këtij posti duke parë ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutë, reduktimin e kompetencave të presidentit dhe sulmet që i bëhen”, - tha Oketa. Deputeti demokrat tha gjithashtu se me statutin e PD-së, Bamir Topi është anëtar i Këshillit Kombëtar dhe se askush nuk mund ta mohojë këtë fakt. Ai sqaroi se raportet e tij me Topin janë miqësore dhe se ai kishte marrë nga Bamir Topi të gjitha pritshmëritë e tij për një president të gjithë shqiptarëve. Oketa u shpreh i zhgënjyer se si një pjesë e këshilltarëve të djathtë në Durrës kishin bojkotuar me urdhër politik vizitën e Presidentit të Republikës në Durrës. “...Më la një shije të hidhur për shumë arsye. Nuk e kisha menduar që këshilltarët bashkiakë të një qyteti si Durrësi do të fshiheshin dhe nuk do të prisnin kryetarin e shtetit, kur kujtoj se në vitin 2004 (kur unë isha anëtar i Këshillit bashkiak) kemi marrë pjesë në vizitën që ish-kryeministri Nano bëri në Bashkinë e Durrësit. Në atë kohë, një grup këshilltarësh, pa një urdhër politik kemi shkuar, dhe unë gjykoj se kemi bërë mirë që kemi shkuar. Të njëjtën gjë duhet të kishin bërë edhe me Topin President...”, - tha Oketa. Deputeti demokrat deklaroi gjithashtu se ende në Durrës nuk është bërë një analizë për zgjedhjet, duke mbetur peng i një udhëzimi që duhet të vijë nga Tirana. Oketa sqaroi edhe qëndrimet e deritanishme të tij në Kuvend, duke shtuar se asnjëherë vota e tij nuk ka vënë në vështirësi mazhorancën për numrat. Sa i përket marrëdhënieve me kryeministrin Sali Berisha, deputeti demokrat tha se ato bazohen mbi bazën e një respekti reciprok, edhe pse pohoi se ai nuk kishte komunikuar me Berishën që para zgjedhjeve lokale.