Topalli: PS i kërkoi KiE-së heqjen e kredencialeve
27/01/2010 Kryetarja Topalli publikoi letrën e sekretares së PS-së, Dades
“Edhe Dokle ka bërë të njëjtën gjë në vitin 1995”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar dje Partinë Socialiste se ka kërkuar përjashtimin e Shqipërisë nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Gjatë një konference për mediat, Kryeparlamentarja bëri publike një letër të firmosur nga sekretarja për Marrëdhëniet më Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade. “Dy ditë më parë, në datën 24 janar, Partia Socialiste, nëpërmjet kësaj letre që mban stemën dhe vulën e PS-së, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Evropës heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare. De facto, përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm evropian. Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, PS-ja mashtron Këshillin e Evropës kur thotë se, po citoj, ‘Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcionalitetin në përbërjen e delegacionit”, theksoi Topalli në deklaratën e saj, duke e konsideruar këtë letër një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë. Për të përgënjeshtruar pretendimin e kundërshtarëve të saj politikë për “mosrespektim të proporcionalitetit në përbërjen e delegacionit”, Kryetarja e Kuvendit përdori si përgjigje vendimin e Komitetit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg. “Pas verifikimit, ky komitet vendosi se ‘nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare’. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, se ‘kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”, citoi Topalli nga vendimi. Në përfundim të denoncimit të saj, ajo garantoi të gjithë qytetarët shqiptarë se nën qeverisjen e mazhorancës aktuale ata do të përfaqësohen me kredenciale të plota në çdo organizëm ndërkombëtar. “Turpi është zgjedhje e Edvin Kristaq Ramës. Dështimi, si gjithnjë, është fati i tij. Evropa është zgjedhja dhe fati ynë dhe i gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata që votojnë Partinë Socialiste… jo Partinë e Punës”, përfundoi Kryetarja Topalli.
Precedenti i 1995
Për Kryetaren Topalli kjo është e disata herë që Partia Socialiste ka penguar Shqipërinë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. “Kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë, pasi 15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës se, po citoj sërish: ‘Molla nuk është pjekur ende’, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, në vitin 1995”, tha ajo.