Blushi drejt Brukselit për bojkotin
27/01/2010 PS i drejtohet faktorit ndërkombëtar me dy qëndrime të ndryshme
Deputetët Balla e Dade në Strasburg. Lobojnë mbi projektrezolutën
Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste i drejtohen faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në vend. Por kërkesa për zgjidhjen e kësaj krize i paraqitet faktorit ndërkombëtar në dy këndvështrime, sikundër janë të pozicionuara rrymat brenda këtij kampi. Në këtë mënyrë, përfaqësues të dy grupimeve në PS pritet të zhvillojnë takime në Bruksel dhe në Strasburg, duke i përcjellë dhe një herë tjetër faktorit ndërkombëtar qëndrimet e tyre mbi situatën në vend, një ditë përpara miratimit në Asamblenë Parlamentare të KE të projektrezolutës për Shqipërinë.
Mendimi ndryshe
Deputetët e PS-së, përfaqësues të mendimit ndryshe në këtë parti, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani janë nisur dje drejt Brukselit. Në takimet e tyre socialistët do të kërkojnë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, me qëllim ndërprerjen e bojkotit nga PS-ja dhe kthimin e deputetëve në Parlament. Gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel, deputetët kundërshtarë të kryetarit të PS-së, Edi Rama, do të zhvillojnë takime me drejtues të grupeve politike të Parlamentit Evropian, me funksionarë të KE-së dhe drejtues të partive evropiane socialiste, ku pritet konkretisht diskutimi i situatës politike në vend.
Qëndrimi zyrtar
Po dje, deputetët e PS-së Taulant Balla dhe Arta Dade janë nisur drejt Strasburgut. Kështu, deputetët që tashmë janë pozicionuar në mbështetje të bojkotit të kësaj partie përkundrejt Parlamentit, pritet të zhvillojnë takime me drejtues të partive socialiste evropiane, duke pasur në qendër pikërisht mbrojtjen e një qëndrimit të tillë nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke kërkuar dhe mbështetjen e partnerëve të saj, lidhur me këtë pozicion. Vizitën e tyre në Strasburg deputetët socialistë e argumentuan me ftesën e bërë nga vetë përfaqësuesit e së majtës evropiane. Por ndërkohë, takimet e Ballës dhe të Dades pritet të përqendrohen pikërisht te projektrezoluta mbi Shqipërinë, që do të miratohet nesër nga Asambleja Parlamentare e KE-së. Kështu, përmes lobingjeve në Strasburg, socialistët do të përpiqen që kjo rezolutë të jetë në mbështetje të qëndrimit dhe të kërkesave të PS-së, mbi zgjidhjen e krizës politike, ku sikundër dihet, socialistët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre për ndërprerjen e bojkotit ndaj Kuvendit.
“Metropol” paralajmëroi nisjen e negociatave
Klasa politike, e sidomos e majta, është vënë në lëvizje që përmes takimeve të realizojë kërkesat e saj ndaj mazhorancës parlamentare. Madje, së fundmi, socialistët i janë drejtuar faktorit ndërkombëtar për të arritur një qëllim të tillë, pavarësisht se tashmë janë ndërkombëtarizuar të dy qëndrimet që njihen brenda kësaj partie lidhur me bojkotin. Ndërkohë që gazeta paralajmëroi nisjen e këtyre bisedimeve, që pritet të përqendrohen në Tiranën zyrtare. Pak kohë më parë, gazeta bëri me dije lidhur me takimet e zhvilluara në fund të vitit të kaluar nga përfaqësuesit e dy partive politike, me përfaqësues të KE-së dhe BE-së. Ndërkohë që pritet që të jetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ai i parapëlqyeri i komunitetit ndërkombëtar për të drejtuar negociatat mes dy partive të mëdha për zgjidhjen e krizës.