E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: PS të bashkëpunojë për reformat

E pyetur për pretendimet e opozitës rreth krizës në vend, Topalli u përgjigj se "roli i opozitës është i shenjtë. Unë si kryetare e Kuvendit kam detyrë t'i respektoj në çdo hapësirë dhe në çdo të drejtë ligjore dhe të kem të gjithë fleksibilitetin për t’i mbështetur, pasi ne si shqiptarë kemi të njëjtat qëllime".

"96% e shqiptarëve kërkojnë integrimin dhe në këtë aspekt unë mezi pres bashkëpunimin e deputetëve të opozitës me pjesën tjetër të parlamentit për ta çuar përpara çdo ligj, çdo reformë që i duhet vendit, jo Qeverisë. Detyra e opozitës është të kundërshtojë Qeverinë, t’i bëjë opozitë asaj, por kurrë t’i bëjë opozitë shtetit. Kjo do të ishte shumë e rëndë", tha znj.Topalli.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur me ndryshimet e propozuara nga maxhoranca në rregulloren e Kuvendit, për mënyrën e votimit dhe shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës, Topalli tha se "sot jemi në një fazë të re të parlamentarizmit, kur seanca dëgjimore me kandidatët e propozuar, është bërë një praktikë parlamentare shumë efiçente dhe një hap i rëndësishëm në praktikat në Kuvend".

Duke mbrojtur amendimin e rregullores, Kryetarja e Kuvendit tha se për këtë ekzistojnë modele në të gjitha vendet e botës. Pasi iu referua disa të tillave, si modelit amerikan, francez, hungarez, polak etj, Topalli u ndal tek një raport i Komisionit të Venecias, i cili flet për mënyrat e votimit në parlamente të ndryshme, të hapura apo të mbyllura, ku si standard më i lartë vlerësohet ai ku transparenca është më e madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›